Lahuta e Malsis Reshat Arbana
Lufta e Ballkanit
Franc Jozefi n’ divanhane:
Padishah, pásh jeten t’ ande,
Mos me t’ keq me i marrë Shqypatrët,
Mos me u lshue m’ qafë Pashallarët,
Qi me i prishë e kshtû me i çartë,
Si tash s’ voni i a ké hí
N’ at të mjeren moj Malcí:
Se, manà, kta po i’n do njerz,
Qi po i more teper terz:
Me shka m’ dán neshtrasha mue:
S’ kan me u pritë, jo, pa t’ trazue,
Pa t’ i qitë do t’ çame krejt.
Se ti kta dije prej mejet,
Fort per hajr. ndoshta, s’i ké.
E mâ lirë i shet se i blé:
Se as per hajr, drue, nuk kan lé;
Veç se, besa, sa per sherr
S’ ké per t’ gjet kund fis mâ derr.
Mâ kryekcyem e mâ belá.
Qi, ‘i grusht gjind e fukará,
Fytafyt kta me u perlá
N’daç me Krajl e n’ daç me Mbret,
Si t’ u kcejë aj zekthi i vet.
Këta sod lypín lirín,
Lypin t’ lirë me pasë Shqypnín,
E krejt m’ vedi me u sundue,
T’ huej’t mbas sodit jo m’ i u shtrue,
Pagë as t’ dheta me i pague,
E s’ kan faj; pse tash sa mot,
T’ thuesh, Shqyptarët lshue i ké pa zot; 30
E lshue u ké ti m’ qafë xhahilat,
N’ krye t’ vendit vû u ké katilat,
E as per t’ mjeren moj Shqypní,
Qi nder lufta per tý âsht shkrî,
Turk e i kshtênë, po, gjâ ndertue
S’ ké dér m’ sod; veç se rrenue,
Djegë e pjekë edhè shkretnue,
Me i u dhimtun minit n’ múr
E atij gjarpnit per nen gúr.
Prandej vetë kishe me thânë,
Se s’ bân keq lirín m’ u a dhânë:
Asht mâ mirë me i pasun miq
E të lirë, se rob e anmiq;
Pse dishka edhè jam tue drashtë,
Se kta ‘i ditë kan me t’ u dashtë
Né mos sod sugure mot:
Dishka ndiej era barot…
Padishai n’ at harem:
T’ u ngjatët jeta, ‘or miku i êm,
Se, manà, mirë jé kah thue:
Ashtû m’ dán puna edhe mue.
Veç â ‘i hall, ‘or t’ u ngjatët jeta,
Se n’ Shqypní, të thuejsh, dý t’ treta
Të halís janë muamedan;
E prandej kjo punë nuk bân.
Pse edhè as << dini >> nuk e ep,
Per pa pasë nji t’ madh gazep,
Nji zalldan, nji farë sikletit,
Me u shkepë turku ylqet t’ Mbretit
E me u ngrefë aj davlet m’ vedi.
Me gjith kta vedimvedi,
Mirë t’ u matë e per kadalë,
Do t’ a bâj pleqní ket fjalë,
Palè ‘i herë si mund t’ na dalë;
Se me u ngutë s’ e kam zanát.
Sa rrín Mbreti tuj u matë,
Tuj u matë e tuj u shmatë,
N’ at harem aj tue gerhatë:
Si tash s’ voni e ká zanát:
Fjala Carit ká shkue n’ vesh;
Edhè besa, ky hundlesh
Nji as dý nuk i a ká bâ,
Por t’ âsht ngrefë si katallâ,
E u ká bzá shkjeve t’ Balkanit:
Sod a kurr me i rá Sulltanit !
Sod a kurr turkut me i rá,
Turk e Shkjá sod me u perlá;
Se per ndryshe jue Shqypnija
E per rreth Maçedonija,
Me sa turku ká terthore
Ktû n’ Europë, kan me u dalë dore.
Krajli i Nemces, nji kryetollë:
Nji kryetollë, por mendehollë
Ká çue fjalë Mbretit n’ Stambollë,
Shqyptarve me u dhânë lirín,
Zojë m’ veti me qitë Shqypnín.
E po duel Shqypnija m’ veti
Atjè n’ Beçë si po ishte njeti,
At herë ju, të gjith si jini
N’ at Balkan, per t’ ngelun kini
Me ka ‘i ngordhe n’ dorë, e mue
Hije t’ zezë kini me m’ lshue.
Me ndollë puna qi n’ ndo’i fshat
Epet zâni, se nper shpat
A se n’ fushë nper ndo’i gajush
Derr të eger ká pá kush,
Trup në kambë çohen fshatarët,
Rrokun armët, ndjellin zagarët,
E shoshojt tue lshue kta zâ,
Kan, me brimë e me haré,
Kah t’ jét dukë ajo shkerbé:
Kshtû Balkanasit atbotë,
Ndermjet vedi lidhë kta frotë,
Rrezga – bjezga m’ kambë janë çue,
Kan njeshë armët e janë shterngue:
Kan ngrefë top e mitraljoz,
Kan hjekë korsull e bajloz,
Ndermjetsí as peng nuk priten,
Veç se luftë Turkut i qiten.
Por as Turku nuk ndêj fjetë,
Me duer m’ í, me sý perpjetë,
Se aj per luftë po isht’ taravol;
Prandej erdh e t’ u shpervol,
Mlodh nizamin n’ Anadoll,
Bashkoi Llapë, bashkoi Harapë,
Toskë, Çerkez, e lkurazez:
Mrefi qordë, mrefi tagan,
E t’ i qiti n’ log t’ mejdanit
Per ballë Mbretneve t’ Balkanit.
Manà t’ Zotit, morè vllá,
Po t’ kisht’ qitë shteku me pá
Se si ndeshë janë Turk e Shkjá,
Turk e Shkjá, si janë perlá:
Katallâ e malukat
Idhtë m’ shoshoqin çue lugat
T’ ishte dridhë, po, kmisha m’ shtat!
Kah rreh topi shpat e m’ shpat,
Kah vlon pushkë e mitraljoz
Ashtû ushtimë e vijanos:
E kambsí, e kalorí
Turr kah lshohet me furí,
Kush me shpatë kush me singí,
Tue vikatë, tue hallakatë,
Turk e Shkjá si e kan zanát,
Marë Balkani ndezë â flakë.
Gjaku i nierit derdhet brrakë:
Tym e pluhun dynden njegull,
Nen kambë toka lkundet shrregull,
Thue po shamen qiell e dhé.
Me t’ ardhë keq, po, se ké lé!
Njani hapu, tjetri zmbrapu,
Shkjavi msýj, e Turku shtýj:
Shtýju, msýju, nzitu, lvitu,
Nzitu e lvitu e kacafytu,
kacafytu turk e Shkjá,
Fytafyt tuj u perlá,
Tuj u grî, m’dhamë tuj u shkye,
Shoq më shoq lamsh kaperthye,
Si ato bollat neper ferra:
A si atà derrat me derra,
Qi dermishen, e shkelvishen,
Tue i a dhânë m’ turîj e m’ dhâmë,
Kerleshë kreshten gjatë nji pllamë,
Mneret nieri me u ngrî m’ kamë.
Ashtû lufta idhtë tue vlue,
Qaj Bulgari fort u idhnue,
Dhamë e tmallë ç’ i ká kercnue,
Se edhè t’ madhe aj ç’ ká ulrue:
Hâni! burra, per n’ Stambollë!
Trima mrendë! Me dorë! Me dorë!
E si ‘i shkam, qi shkrepë prej s’ naltit
Të nji majes s’ gristë s’ ndo’i malit,
Me zhaurrimë, e shungullimë
Poshtë rrmores shamet turr,
E pod m’ pod, e curr më curr,
Tue balcue, tue u rrokullue
Landë e gúr shkon tue dermue;
Tue turshî shkon ledhe e gjí,
Dér qi s’ mrami me furí
Mos t’ plandoset kulihum
Kund m’ ndo’i prroskë a m’ ndonjí lum,
Tue dyndë skllafat n’ ajr per mnerë;
Idhtë Bulgari kshtû m’ at herë
Perzí gjak e perzí vnér,
Synin gacë zêmren batare
M’ Turk sulmue ká fulikare,
Lum per Tý, o i Lumi Zot!
Kúr janë ndeshun flakë e agzot,
Kúr janë ndeshë Turku e Bulgari,
Se ç’ âsht ndezë – o lufta zhari
Se ç’ ká vlue pushka m’ at hera
Se ç’ ká krisë zhurma e potera,
Vigma, brima, bumbullima,
Edhè plajmi me stuhí!
Rrebtë gjímue ká Deti i Zí,
Ká ushtue Beçë e Bukureshë,
N’ moh dý male si t’ i’ n ndeshë,
Ngasin, vrrasin Kapitanat,
Hingllojn kualt, turfllojn katanat,
Gjimojn topat e havanat,
Shprazen gjylet breshen lshue,
Si ajo rrfeja tue bumbllue,
Mêt e krés me t’ u dermue!
I u dha zjarmi Rumelís
‘Dhè prej flaket e stuhís
Ulurojn nierz e shkrebé,
Shamë rroposen rrash per dhé
Ledhe, pleme, fshate e tbâna,
Gjytetet janë bâ murana.
Me çilë bollat mrendë dikúr:
Edhe u dha atý nji zhumhúr,
Nji piskamë, nji vikame,
E njí erë, e njí poterë,
Vrrimë, e krísme, edhè zhaurrí,
N’ vend Balkani, thue, u turrshî.
Të varruemt, trinue per dhé.
Mbetë e lmekë, e ftyren zbé,
N’ hurdhë të gjakut t’ vet humue,
Píjt me dorë rreth tue ravkue,
Tuj u lvitë, randë tue livrue,
Si atà krymalesht m’ drû,
Se ç’ gerthasin, se ç’ piskasin,
Kualt katana m’ ta kah shklasin,
Kah të mathtat rrota t’ topavet
Angrra e trû larg u a sterklasin,
Tuj i a njeshun landve e krepave,
Me i u dhîmtë gurit e drûnit!
Kuq <<Marica>> gjaku s’ nieri
Leqe – leqe rrmen kurrnê;
Po vlon << Tuna>> gjiri m’ gjiri,
Dyndet tymi nalt mbí rê.
Muzë âsht qiella; per nen kamë
Trandet toka e ushton nji gjamë,
Thue, termeti shungullues
Po shperthen angrrat e dheut.
Vapa e tymi terratues
Anë e kand kobshim mbertheu
Dy lutrâjt e rrebtë t’ Balkanit
Trim Bulgarin, Turkun t’ eger:
T’ cillt pa rrâ m’ at log mejdanit,
Pa i a nisë me u bâ atà fleger,
Nji bé t’ madhe po e ki’n bâ:
M’ qitáp Turku, m’ Kryq Bulgari:
Se gjallë pushken s’ ki’n m’ e prâ,
Per pa e ndezë Balkanin zhari,
Furrë gelqerje rreth e çark
Njani shojn pa vû perfundi
Pa i a vûmun shtjelmat m’ bark,
Shpirtin pa i xjerrë perdhuni!
Si dý rê qi ‘i natë dimnore,
Njana shkputë prej jugut fíll,
Turr lshue tjetra rribës verjore,
Vîn e ndeshen per nen qiell:
E kû t’ ndeshen nper ajrí,
Per mbas rrymet qi i ngarmon,
Si kulshedrat me furí,
Njana m’ tjetren rrebtë sulmon:
Edhè at herë, ashtû t’ u bue,
Flakë per flakë i a ep vetima,
Lvitë rrfeja tue vershllue,
Rreh permnershim bumbullima,
Ushton toka, gjimon deti,
Edhè brej, aha e çetina
Rriba e erës i rrmen me veti
Si ato coklat nper zallina:
T’ i a ep breshni edhè shtergata,
Shamen currat gjatë rrmoreve,
Prroje e shé nper gryka t’ thata
Gallamarde rrmejn fushoreve:
Kshtû Bulgari e Turku perlá,
Rrijn shoshojn tue e shtý pa dá,
Njani tjetrin n’ gjak tue e lá.
Plûhen, flakë e tym i zí
Rreth per çark i kà pershî;
E kah hapen me furí
M’ kambë shoshoqin per t’ perpî,
Pushka e topi edhè tue zí,
Kobshim qiella rrin tue ushtue,
Thue mbí tokë po don me u lshue,
Avra – avra ajo shperthye.
Kúr qe Turku erdh e u thye,
E u terhoq e u vû me kthye
Krejt lá m’ gjak e keq shemtuem,
N’ at Stambollë per t’ u ngujuem.
M’ shpinë Bulgari atbotë i u shtrî;
M’ pushkë e m’ top m’tê m’ nja tue shtî,
Dér n’ Çatallxhe qi ká mrrî,
Prej kah nieri per nen dorë
Lehtë hjedhë peshen mbrendë n’Stambollë.
Si nji lum qi, dalë prej amet,
Bjeshkve bora ortek kah shamet,
E lshojn prrojet e malcís,
Deperton gjthkah zallís:
Kshtû at herë Shkjau i u rras Shqypnís
M’ Kaçanik, e m’ Adrjatik,
Veleçik, e Salonik,
Tue ndrydhë vendin nder çapoj:
Vra, e pre, e lidh n’ vargoj,
M’ dajak gjinden per dhé shtroj,
Bâni plaçkë e trollit dboj;
Edhè lufta ashtû maroi.
Franc Jozefi kúr ká ndie
Se u rras Shkjau mbrendë n’ at Shqypní,
Se ç’ âsht mbushë aj me mëní,
Se edhè fort ç’ erdh tuj u idhnue
E as s’ u mat mâ as s’ u hutue;
Por çoi m’ kambë tetqind taborre,
Mirë e mrefi at shpat mizore,
Mrefi shpaten e mejdanit,
E u çon fjalë Shkjeve t’ Balkanit:
N’ krye t’ tetë ditvet, tue marrë dielli,
Prej Shqypnís me dalë ju filli:
A per ndryshe mirë t’ a dini
Se. per Zotin, m’ shpinë më kini, 305
E at herë s’ dij se ç’ bâj mbí jue.
Rregji i Itales fort âsht gzue.
Franc Jozefit fjalë ká çue:
Se edhè mue me vedi m’ ké,
Per t’ i rysun këtà Shkjé:
Këta slav, qi kan marrë krye,
Edhè m’ shpinë duen me na kcye,
Me na lânë t’ dyve pa sý.
Se as e mjera moj Shqypní
S’ ká kend mik as kumarí.
Qi me hî asaj zot me i dalë
Turrin Shkajut per me i a ndalë
Qi, i terbuem gjithmonë e i eger,
Po don sod m’ e bâ krejt fleger
Thue se aj zot âsht bâ m’ Europë.
Krajli i Inglizit se ç’ âsht vrâ;
Zâ t’ gjashtë Krajlave u ká bá:
Amanet, mos me pritue
Në London na me u bashkue,
Per me folë, me kuvendue;
Se Balkani âsht tym e njegull,
E po bân, prit, Zot! ndoj tjegull
Me na rá krés edhè né…
Prej Balkanit hajr nuk ké!
Zana e Vizitorit
Kshtù n’Nokshiq lufta po vlote,
Zana e Madhe e Vizitorit
Më kisht’dalë ajo n’nji kep,
Prej ka’, e Mira, po kundrote
Si terthores së Nokshiqit 5
Rrihte << huta >> edhè << novica >>;
Si flakojshin n’diell taganat
E si gríheshin n’ mjet vedi
T’ idhtë Shqyptarët e Cerrnagorasit:
Një grusht trima kta, qi Mbretit 10
Të Stambollës, manati i Zotit,
Pesqind vjet kokerr m’ i ndêjen
E askurr pushkën dá s’m'i a kan.
T’ lirë nepr krepa tue e shkue jeten,
Si ajo shqypja skepkurreta; 15
Ndersa Serbi ‘i belaçi,
Me Turk nisë kishte krushqi
E po rrite aj me dorë m’ ballë
Tue i bâ Turkut <<tungjatëjeta>>,
Turkut tue i lá pagë e t’ dheta: 20
Pesqind vjet harap i shitun!
E ashtû ndêjë e Bukura e Dheut
M’ at t’thepsinen maje kepi,
Rreth e rrotull rrokullote
Synin flakë, si flaka e diellit, 25
Tue kundruem e, shêj tue vûm
Se kujë pushka mâ hollë vritte,
Kujë mâ ters tagani ndritte:
Kush po hapej, kush po zmbrapej,
Kush po ms^yte mâ furishem 30
Malazezet a po Shqyptarët:
T’ cillve n’ mní, kishe me thânë,
Se edhè fort vehtja i kisht’ ardhë,
Q’ se atý jeten, sado e ambel,
Kurrkush máll, besa, s’ po e bâte: 35
Rrezja e sýnit, kur, i prirte
Ka’ ato tbanet e Curr Ulës,
Kû të mjeren Tringë per s’ dekuni
Ká pá shtrî terthuer oborrit,
N’ nji hurdhë gjaku kryet sharrue 40
Shi te praku i derës së vet.
Pse të mjeren morì Tringë
Edhè mirë, manà, ajo e Mira
Njoftë m’ a ki’te prej kahmotit:
Q’ se kjo, vajzë e enè fëmij, 45
Flokët rreth ballit rrumullue
E nder mrize t’ Vizitorit
Reshun rrunzat me mrizue,
Bâte kputa: a se me shoqe
Brite hijes tue këcye, 50
Me u stervitë, po, jetshkurtumja,
Si dikur kjo, vetë, bâ nuse,
Me këcye me nuse tjera
N’ ato okollet e Malcís;
Ase, ulë ruben nen vetlla 55
E tue bâ kinsè po kjate
Mbí ndoí rrunzë e cungë shtrî para,
Njifte fjalë tue dnesë, tue fshâ,
Per me dijtë mandej, si grue.
Me vajtue burrat e dheut, 60
Ndér qi fisit t’ i ki’n lanun
A per gjýgj e per pleqní,
A per bukë e bujarí,
A per besë e per burrní,
Per urtí, per trimëní, 65
Vrá me Turk kta, e vrá me Shkjá;
Jo se kur, per brî ndo’i gurre
A ndo’i çutrri ujnash akull
Bashkue blegat me u freskue,
I a nisshin atý, çerdhùkullat, 70
Me u ngallitë njana me tjetren:
Tash dynd skllafat me shplakë t’ dorës
E sterpik ftyren shoshoqes,
A se qite me kambë n’ujë:
Njana tjetres m’ shpinë tash leshoju 75
Poshtë perpjetë stomeve t’ blera:
Guga fmijsh, per t’ kalue motin,
Verës mbas gjâjet m’ bjeshkë kur dalin.
Zana e Madhe, strukë nder zgevrra
Gvêjsh jetikë, a nper gallushtra 80
Bigash s’ mrazta, çilun m’ karpa
Prej rrufejet bumbulluese,
Rrite e Mira e po i skjyrote,
Krye per krye me Motra tjera,
Me ato t’ bukurat Shtozovallet! 85
Orë e Zana t’ Vizitorit:
Fol e qesh kto ndermjet vedit,
P’r ato argtime e lojë fminije,
Krejt pa t’ keq e tanë fjeshtsí.
E kur ndollte sè ndo’i shoqe, 90
Ftyret Tringen n’ moh po e lagte,
Pa rubë m’ krye, llanash shpervjelë,
Amel n’ gaz tue gurgullue
Si t’ këndojshin n’ mal bylbylat,
Edhè ashtû ftyret priskue 95
N’ ujna t’ gurravet t’ argjenta:
Si e kerthnesta drandofille
Rîhet n’ voes n’ at ag të Dritës:
E fulqîjsh n’ ujë bushurdisun,
M’ shpinë kjo shoqes vrap vervitej, 100
Tuj u ndjekë n’p'r ato blerime,
Si dý flutra t’ bardha, t’ bardha:
Zana e Madhe, kah po e shifte
Ashtû t’ njethë e të kerthnestë,
Bardh e njomë si ajo prandvera, 105
Edhè fort, po, e Bukra e Dheut,
Manà, knaqej vetë me vedi;
E tue folë me Shtozovallet
Bashkë tue folë, bashkë tue ligjrue,
Merrte, e Mira, edhè po thote: 110
Pa ndigioni, moj sýgrizha,
Moj pinjolla rritë nder molla:
Pásh at t’ Lum, qi vrân e kthiell,
A u ká rá ndo’i herë me pá,
Nen ket hanë e nen ket diell, 115
Fmij me ‘i hije mâ të kandshme
Se Tringë Ulja e Ulë Keqotës,
Burrë i dheut ky, e buka e botës,
N’ nám e n’zâ nder Male t’ Mdhá.
Kqyrnje ‘i herë, he i raftë e mira! 120
Si i ep shtatit m’ shpinë ka’ i lshohet
Bleges shoqe n’p'r at rudinë;
Si njaj hylli, qi n’ natë vere,
Zhgjetë i bjen të mraztë Empirit.
Tue lânë mbrapa ‘i hullí drite! 125
Jo, po prá, mirë jé ka thue,
Njana Orësh fjalen i a kthete:
Sýni i keq veç mos e pát,
Se kjo mue, manati i Zotit.
Me njat shtat filiz çetine, 130
Me ato vetlla si fiskaja
Me atà sye kokrra qershije,
Me atà dhâmë si gurt e zallit,
Fíll mbas shiut kur t’ u bjerë dielli,
Dishka m’ dán, po, si ‘i cirkë voese 135
M’gjith t’ nji lili, kur mâ s’ pari
T’ shkrepë m’ tê rrezja e nadjes s’ ré.
Si veç, Zot, rueja nanës s’ vet!
Se, manà. kur t’ bâhet nuse,
Shoqja kund s’ ká per t’ i dalë 140
As n’ Malcí, as n’ Shllak, as n’ Shalë.
Sa mirë s’Bukures s’Dheut m’ i rá,
Per at fjalë qi i foli Ora,
Edhè, e Mira, buzen n’ gaz,
Kshtû ká marrë e ligjiron: 145
Animâ, moj Orë e Zana,
Tringen ju fort me m’ a dshtë,
Me m’ a dashtë, n’kujdes m’e pasë:
Me m’a ruejt si sýt e ballit,
Kurdoherë t’ dalë me verue 150
Nder kto vise t’ Vizitorit,
Qi ktê shtriga t’ mos m’ a ngase,
Sýni i keq t’ mos m’ a peçase,
N’ moh m’ mní kamba t’ mos m’ i shklase:
Larg <<gojlidhnin>> me m’ i a mbajtë 155
Zhegut t’ ditës me m’ i bâ hije,
Me m’ i a bâ ju dimnin verë;
Me m’ a ruejtë të njethtë perherë,
Si ato lulet në prandverë,
Mbasì lule e falka Zoti. 160
Se, q’m'at ditë qi e pava s’ pari
M’breg t’Gradinës tue u dhânë ujë rrunzave,
E vetë ftyret tue u flladitun.
Mue kjo krejt m’ âsht njitë per zêmer.
Edhè e due, moj, pásha t’ Lumin! 165
Si driten e sývet t’ mí.
Se edhè vetë, po, Zana e Madhe,
Kur më dilte Tringa n’bjeshkë.
Ajo ksajë m’ i bâhej hije
Kahdo shkote, kahdo vîte, 170
Tue m’i ndêjë gjithkund perane
Qi ndo’ e keqe t’ mos t’ i a gjîte:
Motra e madhe strehë si i bâhet
Njâj mâ s’ vogle motre s’vet.
Shkrepte rêja nalt prej qiellet, 175
Edhè rrfeja me rropame
Blî’n shinote rrêmash s’hapun,
Per nen t’ cillin, furís s’mndershme
Per m’ i u shmangun t’ rrebtë thellimit,
Strukë t’ isht’ Tringa: sa shpejt gati 180
Atý i rrite e bardha Zanë,
Edhè, e Mira, me at t’ fuqishmen
Dorë të vet rrfés, po, kokrren
Larg ajo kisht’per t’ i a bredhun,
Tuj u a lshuem karmave t’ rryeshme. 185
Msýte ujku m’ rrunza t’ Tringës,
Jo pse ky kishte qitë ceken
Kund tufë dhênsh me vû per vedi
E me u bgatë me to: si nieri,
Qi, mâ i fortë tue ndollë, mâ t’ ligshtit 190
I mbetë m’ qafë, e bishë mbí bisha.
I a xjerrë shpirtin per gazep
Jo per tjeter, veç per t’ hîmë
N’ okë e n’ copë të tij, e barkun
Me e kertylë mâ teper n’vjam: 195
Por, pse zijet n’ breshtë molisun,
E rreshkë ûjet, barku petull
Per kurríz i isht’ njitë qyqarit,
Tue mos pá kund maje vedit,
Lshote m’ rrunza t’ Tringës së ngratë, 200
Gjallë sa frýmen aj per t’ mbajtë:
N’ ndesh t’ tij Zana per t’ dalë kishte,
E atý gojen me i a lidhun,
M’ rrunza t’ Tringës qi aj mos me prekë.
Edhè ujku, sado i unshem, 205
Kryet per dhé, bishtin nder kâmë
Per t’ kaluem kisht’ ndermjet rrunzavet,
Per pa i prishë e dam pa i bâmë:
Si t’ kish’ kênë qêni barí
Tue ruejtë rrunzat bashkë me Tringen! 210
Kaq fort Zana, Shtozovallet!
M’ a kisht’ dashtë Tringn e mjerë:
Por qi sod i a bâni t’ dekun
Vasil Ndreka sýkerveshni!
Prandej, kur m’ at maje kepi 215
Ndêjë, e Mira, tue soditun
Si n’ Nokshiq po vlote lufta,
I shkojn sýt n’ oborr t’ Curr Ulës,
Edhè shef: shka ajo me pá
S’do t’kisht’ dashtë me sa vedvedin 220
Errë s’ dy sýsh: shef Trinen dekun
Gjatë oborrit shtrî terthuer,
Kryet te praku i derës sharrue
N’ nji hurdhë gjaku. Mnderet shtati
I u perqeth atý nji herë; 225
Por, ka’ e Mira me mendue
Nuk po don, se ndonji e keqe
Ká mûjtë Tringen me i a gjetun,
Sýve t’ vet besë s’ do me u zânun;
Edhè shplaken, bardh si drita, 230
Vendue strehë mbí vetlla t’ holla
E dhânë shtatit si n’ perpjete
M’ at shkam t’ gjallë, e ço e ul kryet,
Ngerthye m’ ballë vetllat si rrfeja,
Mâ pingul rrexet e sývet 235
Po i a lshote. Si ajo mjera
Morì nanë, së cilles djalin
N’ mal a n’ fushë hasmi i a vrau,
Ndo’i rrezik a se i a gjetka:
E qi gjindja, shqymit zêmren 240
S’ mjerës me’i herë mos m’ i a rrenue,
Si me ndoshta t’ zí kumetin
I a apin s’ pari: flakron m’ kambë
N’at lajm nana, e rrugës tue thekun
Moshet kamba nisë me i mbetun, 245
Shkon n’ mend vedin tue e mahitun,
Se s’ do t’jét, jo, djali i vet
Qi ká mbetë, por ndokush tjeter
Me tê ‘i êmni ndollë si gand:
Amostjetr, se asa’ i biri 250
N” rrezik jete nuk do t’ ishte:
Por, kur t’ mrrîmen n’vend t’ shemtuem,
Shef se djalë mâ nuk po ká,
<< Ahi !>> gerthet t’ madhe me vedi,
Grushta krés tue i rá kercuna, 255
Dhîmet zêmra ka’ i pelset;
Kshtû gerthitë ká e bardha Zânë,
Kur ká pá se mbetë kisht’ Tringa.
Edhè e Mira, nalt prej kepit
Kû kisht’ zanë, e thik perpjetë 260
Ndê ajo flatrat e prarume:
Si atà pllumat kur prej s’ epëri
Pingul lshohen m’ ndo’i lamë gruni:
Zhgjetë n’ teposhtë âsht lshue n’p'r ajrí
Drejt oborrit të Curr Ulës: 265
Curri dekun shtrî te votra,
Dekun shtrî n’ oborr e motra.
Si ajo nana fmín, qi gjumi
T’i a ketë zanë prej mremjet n’ voter,
E merr pezull para duerve 270
Edhè e çon fjetë ke shtroja:
Kështú Zâna pezull Tringen
Para duerve ajo e ká rrokun,
E ndê çark llanen si bora
Nen krye t’ sajë e njanit krah: 275
Si po t’ drote se i del gjûmi…
T’amlen pashë edhè shterngue
Mirë per persme, e Bukura e Dheut
Nçohet ajrit tue flutrue
Neper plume e gjyle topash 280
Drejt kah kreshta e Vizitorit,
Kû m’ nji bigë kisht’ ngulë e Mira.
Nen at bigë e te nji breshtë
Po kisht’ pasun nji rudinë.
Isht’ rudina e e gjanë e giatë, 285
Sa hjedhë nieri ‘i pashë nen dorë,
Tanë blerim e lule t’ njoma;
N’ mes t’ rudinës nji shkam i gjallë,
Nen at shkam nji gurrë prej akullit.
Gurra jishte, ujë po kishte, 290
Sa me blue nji gúr mullîni.
Atý dilshin Orë e Zâna,
Per me u lá, per me u flladitë,
E neper rreze qi lshon hana
Dorë per dorë valle me u njitë 295
Me u njitë valle e me lodrue,
Me lodrue, po, e me këndue
Me këndue e me vallëzue
Me bylbyla t’ verës – ó, 300
Dér nper ag të Dritës – ó!
Mbí at rudinë e te ajo gurrë,
Zana e madhe, Shtojzovallet!
Ká ulë Tringën n’ bár të njomë,
Edhè fshâ ká ajo të madhe. 305
Kur ká fshâ nji herë të madhe,
Ká piskatë fort mâ të madhe:
Ç’ ká ushtue bjeshka e Vizitorit!
E kan ndie Motrat e veta,
Orë e Zâna t’ Vizitorit: 310
E kan ndîe ato e gjithsa kjenë,
Gjithsa kjenë, po, te kû kjenë
Shkaperderdhë gjatë Vizitorit
Neper kerma, currina e krepa,
Luften tue soditë të Lumet, 315
I a kan behë ato vetimë,
Disa vetmas, tjerat plimë,
Tue rrahë fletrat nper ajri:
Si atà pllumat, qi prej mbarmjet,
Enè dielli pa prendue, 320
Shkaperderdhë si t’ janë pullazesh,
Nper kopshtîje a skâj’t t’ oborrit,
Kur t’ ndiejn zânin e zojës s’ shpís
Se i ndiell m’ kokrra, fluturim ajrit
Per t’ u lshue kan, tok a dámas, 325
Zâni i njoftun kah t’ i grishe:
E si ato qi s’ kan mot t’ keq,
Fol e qesh t’ Lumet n’ mes t’ vedit,
Ka’ i bijn ajrit tue flutrue,
Por kur mrríjtë kan mbí at rudinë 330
E kan pá shtrî m’ bár të njomë
Trupin dekun t’ Tringes s’ mjerë,
<<Kuku!>> t’ madhe fort gerthiten.
Rrah shuplakë e lviru ftyret.
Lnuru flokësh fijesh s’ mundashit, 335
Njana dnes e tjetra fshâj:
Fshâj e kjáj e shkrifu n’ váj,
Rá permys rreth trupit t’ sajë,
Dhîmet zêmra gjak u pikë.
Mjaft tash, Varza; mêni vajin! 340
Kem’ me pasë se kur me kjá,
Zana e Madhe merr e u thotè.
Se edhe n´ vend qillue po kemi,
Kú rri bari r&i nè lot,
Kú rreth toka &asht mrú me gjak, 345
Me gjak nierit, e kú, besa,
Nji Shqyptár, n´dashtë burrë, n’dashtë grue,
Qi per zêmer Orë e Zana
T’ a kenë pasë, aj, t’thuesh, gjithmonë
Ká hjekë zi, keq ká mbarue: 350
Q’ se kjo e mjera moj Shqypní
Ká per brî, nji dreq të zí,
E në gjí, nji dreq mâ t’ zí,
Ká per brî kjo Karadakun, 355
E në gjí ká Turkoshakun,
Qi veç e me agor të vetin
Hije t’ zezë me i lshue ky diellit,
E si vetë aj gjarpin << zilesh >>
Veç me sý dhén me e helmuem.
PorT’ i lâjm kto fjalë. Tash Tringa 360
Do bâ gati me u rmue n’ dhé.
Kjo do lá nji herë mâ para,
Mbasandej do veshë per dekë;
Do çilë vorri. Sa me e lá
Tash po e láj un vetë; por petka 365
Deke s’ kem’ per tê. Ndigioni,
Jere Lere, Tere, Gere,
Ti Culinë e ti Dalinë,
Tile, Gile, Tale, Gale,
Bashkë me Donen e Berdonen, 370
Beken, Çeken e Cerrleken,
Shpejt me m’ endë ju nji kmishë deke
T’ bardhë si drita, edhè nji vashë
Si e bájn varzat e Malcis.
E ju Care, Nare, Dare 375
Nji rizë t’ gjanë, të bardhë e t” hollë,
Si ato rrezet, per t’ m’endë kini
E mâ s’ mirit me e qendisë,
Per m’i a vû sé mjeres m’ krye. 380
Ti Fatale, Naze, Raze,
Nji << ndjesë >> arit shpejt m’ i a shkrîni,
Krejt me lajle, shkrola e ftyra
Si i ká kjo, qi bajtë ká n’ fyt:
T’ lumet shêje t’ shpensës s’ njerzimit:
E ‘i parë vargj, prap, prej florinit, 385
<< Ndjesen >> m’ qafë m’ i a vjerrë së mjeres.
Zhdukë vetimë janë shtozovallet.
Punës se e cilla tuj i a hî
Me kujdes e t’ madhe cenë,
Zana e Madhe urdhnue si kishte. 390
Kur, qe, prap e bukura Dheut
Po piskatë atý të madhe:
Larg ushtue ká Metohija:
Edhè kthelltë at herë prej breshtet
Nisen vrap dý ulkonja t’ murrme, 395
N’ at rudinë t’ cillat si mrrîjten
E pá kan Zanen e Madhe,
Trok m’ trok m’ t’ katrat tue i rá podit
E andej – kndej bishtin tue i dhânun,
Fíll ka’ ajo kan marrë e shkue; 400
E si kênë t’ i’n dý kalina
T’ buta – t’ buta, per rreth sajë
Nji herë hjedhë janë e perhjedhë.
Tanë gëzim e tanë endire:
Lpýja doren, lpýja kamben, 405
Çou m’ kambë t’ mbrame me i lpý ftyren;
Masandej perpara sajë
Janë ulë t’ dyja e ndêjë kacuk,
Giûhen jashtë e veshët currue,
Sý per sý m’ tê tue soditun 410
Edhè t’ dyja atý tue pritun
Se ç’ punë dote ajo m’ u urdhnue,
Qi aq të madhe u bâni zâ.
Edhè e Mira, lott per faqe,
U ká prî e i ká çue te vendi, 415
Per krah shkamit n’ anë prej diellit
Vorri Tringës kû do t’ i u çilte:
E kû ato, me do çapokë
N’ thoj – çengela mirë t’ forcuem,
Hînë me ‘i herë m’ tê me gropue, 420
Mje m’ brez kthelltë edhè e kan çue.
Nderkaq mrrîjtë kan Orë e Zana
Me pajë deke fringu t’ ré:
Endë e mlue, e at herë bâ vekë,
Pré e qepë, edhè qendisë, 425
Si veç Zanat mund t’ qenbdisin.
Nazja, Razja e ajo Fatalja
Prune << ndjesen >> ár floriní,
Me ‘i parë vargj per bukurí,
Arit t’ shkrîm e t ‘ trashë sa gishti: 430
M’ njanen faqe ‘i Zêmer Krishti,
M’ tjetren ânë nji Shëna Ndue,
Me nji lil në dorë shterngue:
Imë punue, mírë sendergjue.
Zotnja Zanë si e kisht’ urdhnue, 435
Edhè, at herë, vetë Zana e Madhe
Shtozovallet n’ bjeshkë e n’ vrrî !
Asht ulë Tringen per me e lá
Me bár << shkumëz >> e ujë prej gurre,
Kû ajo vetë, e Mira, lahej 440
Neper rreze qi lshon hana;
Po i ndihmojshin Orë e Zana.
Nder mâ t’ parat permbas soje,
Tjerat ndêjë ki’ n rreth e rrotull,
Shkatrrue flokësh, mollzat n’ lot rî; 445
Disa m’ kambë, disa m’ ledinë
Ulë nja’n giû, e m’ tjetrin duert,
Merthye gishtash, pshtetë kaluer,
Tue dënesë, dhimshem tue kjá
M’ t’ngraten Tringë. Nder to mâ e vogla, 450
Njajo Dardhamoskadale,
Qi m’ kisht’ kênë shoqe me Tringen,
M’ anesh dalë e nja’n sup t’ krahit
Njeshë, e njomja, shkamit t’ gjallë,
Kjatë, dneste, shkrifej n’ váj, 455
Dhimet zêmra dýsh ka’ i dahej;
Ndersa nja dý Motra tjera,
Tue e dashtë mirë, flokët tue i a lmue,
Kryet nen sjetlla t’ i a shterngue:
Tjera lott me riza t’ holla, 460
Lshoi në dorë urtyta e molla:
Bâjshin ç’ mos per m’ e pajtue
T’ mjeren Dardhamoskadale !
Ballehana, e Shtatzarana,
Me at Shtrumoren, e Vathnoren, 465
Kishin dalë t’ mirat per lule,
Me to vorrin per me shtrue,
Trupi i Tringës m’ to me pushue.
Edhè Syne, Lore, Loshe,
Mine, Mile, Mele, Groshe, 470
Para duersh atý po bijshin
Mirë të lmueme ‘i rrasë mermerit.
Gjanë e gjatë per masë të vorrit,
M’ llastra gurit per me e pshtetun
Mbrenda vorrit: dheu qi ftyren 475
T’ mos i a prishte Tringës së mjerë.
Prap mâ jashtë, disí m’ nja’ n anë,
Ofshe ! ulkojat vend ki’n zanë,
Kacuk t’ dyja, e per nen zâ
Tuj ungruem tash e mâ vonë. 480
Nji zog vere, m’ rrêm t’ nji lisi
Zanë nder thepa t’ shkamit t’ gjallë,
Dhimshim rrite tue gurgullue,
Kurr pa prâ, kurr pa pushue,
Ujë e shûjtë aj krejt harrue, 485
Kah po dote me i ndihmue
Zanës së Madhe me vajtue
Hollë e giatë, Tringen e ngratë:
Vasil Ndreka, i patynzoni,
Qi i a vrau, i a thau të rijt, 490
I a verboi, oh ! të dy sýt.
Zana e Madhe, shpervjellë llanash
E dhanë rizës ajo mbas shpinet,
T’ mjeren Tringë se mirë po e láte
Me ujë gurre e lot të sývet ! 495
Mirë po e láte, hollë po e kjáte,
Me i u dhimët gurit e drunit:
Anì, Tringë fort m’ kênke idhnue,
Qi me sý s’ don me m’ shikjue
E as nuk flet e as s’ qeshë me mue ? ! … 500
Po pse kshtû, moj hajmalí,
Morì rrezja nper frangí,
Me m’ a marrë gjith ket mëní ?
Qi pa tý s’ m’ká çilë prandvera,
Pa tý lules s’ m’ i erdh era: 505
S’ m’ kan argtue jo kangë e valle,
S’ m’ kan freskue gurrat prej akullit,
As bâ dritë s’ m’ kan sýt e ballit !
Çili sýt, moj drita e sývet ! ….
Shka t’ ká rá kjo bije e randë ?!… 510
A s’ po shef kush â tue t’ lá ?….
Asht tue t’ lá, moj, Zana e Madhe:
Ksajë m’ i raftë – o ‘i pikë e madhe !
Asht tue lá, me ujë prej akullit
E me lot të sývet t’ ballit ! 515
Se as, kur m’ dilshe n’ Bieshkë të Mdhá,
Manà, tejet kurr s’ jam dá:
T’ kam ndèjë pranesh bjeshkës e vrrínit,
Si ajo hâna per nget hyllit,
Kur bân dielli me prendue. 520
A t’ bjen n’ mend, moj rrexigí,
Si, kur ishe ti enè fmi,
Flokët rreth ballit rrumullue,
Bâjshim zheg na t’ dyja bashkë
N’ p’ r ato mrize t’ Vizitorit ? 525
Kû un, marrë hijen e ndo’i vashe
Me tý shoqe ase kushrinë,
T’ msojshe kputat si me nisë,
Si me qapë, si me qendisë ?
E si, kur nper hije t’ breshtës 530
Niste kangen zogu i verës,
Amel – amel tue këndue:
Si veç aj qi din me kndue:
Mue m’ â dashtë, po, mâ se ‘i herë
Me t’ a zânë zogun e verës; 535
Me t’ a zânë t’ mjeren e vocerr,
Edhè gjallë n’ dorë me t’ a prû:
Kah të kapej mendja tý
Se edhè n’ dorë kndon zogu i verës,
E ti s’ kishe enè dijní 540
Se s’ del kanga në robní ?…
Hajde, Tringë, tash me pajtue !
Ti me folë, me qeshë me mue,
Folë e qeshë si kem ‘ perhera !
Se tash del, po, prap prendvera, 545
Prap tash njethen gjeth e lule,
E me u dê ká bora malit,
Me rrëmye kan prrojet zallit:
Prap tash kndon aj zogu i verës,
E tash dalin gjâja e bjeshkës, 550
E tash bijn fej e zamare,
Tash tingllojn linge e koçana,
Tash këndojn barí e blega:
Blegt mollzat kuq si shega:
E un e ti prap dora – dora, 555
Dora – dora bardh si bora
Mriz e m’ mriz bashkë me mrizue,
Gurrë e m’ gurrë bashkë me u freskue:
Hijes mlidh lule të njoma,
Mlidh urtyta, dardha e molla, 560
Lule, lila, karajfila,
Drandofille me zymyla:
Darkë e drekë tamel e borë,
Borë e tamel ciela e zamer:
N’ shndet si bryma mbí rudina 565
Menden kthielltë e zemren dlirtë,
Mirë me Zotin, mirë me robin:
E n’ at t’ amlen giûhë shqyptare
Te nji lis a nen ndo’ i dardhë
Un këndo, po, e ti këndo, 570
Si kndon zogu i veres – o,
Morì drandofillja e bardhë !…
Por, e mjera, ç’ jam tue pá ?!…
Eh me sý kurr un mos pasha !
Ç’ âsht kjo njollë, thue, Tringë, më ballë ? 575
Qi ndryshe s’ po m’ dán nder sý,
Veç si njaj lugat i zí,
Qi hanen ndo ‘i herë zên naten ? …
Uh << kukú >> per mue kercunen !
Se kjo kênka ‘i varrë prej pushket 580
Varrë prej pushket mu në ballë
Mu në ballë shi m’ lule t’ ballit,
Kû mâ fort shpirti po dhimte !
Se Tringen m’ a paskan vrá !
Vrá m’ a paskan, he i vraftë Zoti ! 585
Edhè thá m’ i a paskan t’ rijt
Thá të rijt, verbue t’ dy sýt,
Tue i pshtjellë n’ zí gjak e gjiní,
Tue i mjeruem miq e kumarë:
E Orè e Zana e Shtozovalle 590
Tue i shkretnuem, tue i pezmatuem,
Sa k&u janè e te k&u janè
M´ Qafë të Djellit e m’ Bisht – Muzhel !
Jo, po, pra, besa, ju Motra,
Se per Tringen mâ mbas sodit 595
Udhë as shtek s’ kem’ pse kundrojm,
As nper mrize pse e kerkojm,
Koder m’ koder zâ pse i lshojm;
Pse kjo mâ morekujé !
S’ ká me bâ híje mbí dhé ! 600
Ká me u kalbë, qyqja, nen dhé !
Kur ndo’ i hera n’ atê dimen,
Rêsh së murrta qiella kthiullun,
E m’ ranë t’ hjedhme t’ ndrise dìellì,
Kan me dalë t’ Bukrat e detit 605
E giatë bregut, Shtouzovallet !
Kah mue Tringa m’ dímënote,
Tue flakue ato e tue lodrue,
Njitun valle tue këndue,
Kan me ì lodhun sýt, të Mirat, 610
Palè a Tringen kund po e shofin ,
Kah reshë lukurt m’ kullosë n’ megje,
Qi aq per zemer pasë m’ a kinin,
E per t’ pvetë ká shoqja shoqen:
Vall, po Tringa si s’ po shifet ? 615
A mos rá, ndoshta kund njeti,
Gjân e gjallë me dimënue ?
Ká me u thânë pulbardha e detít,
Manà, ju t’ Bukrat e detít,
Sýt per Tringen mos m’ i lodhni; 620
Se ajo dalë ká me dimnue
Sivjet n’ bjeshkë të Vizitorit,
Te nji gurrë e nen nji blî …
Mbrendé njij vorri, e mjera, shtrî,
Tue ngranë m’ tê skraptha edhè bolla !… 625
Tash hecë moti, tash ndrron stina,
Tash kthen prap festa e Bajrakut,
E ke tbanet e Curr Ulës
Kan per t’ rá miq e kumarë,
Kan per t’ rá ndriklla e mikesha, 630
Vjetë per vjetë si atý kan rá:
E kur t’ shofin zjarmin shkimë,
Deren mbyllë , ofshe ! me ferrë,
Kan per t’ pvetun shokët per brî:
Amanèt, njehshi t’ mirë mot ! 635
Po a Curr Ula shkulë â trollit ?
A thue Tringa na âsht martue ?
Faqebardhë, burra të dheut,
Faqebardha, oj bujaresha,
Miqt e babës qi s’ i harruek’ i , 640
Kan me u thânun shokët per brî;
Se, manà, Curri ká dekë,
Edhè Tringa na âsht martue:
Na âsht martue, po, me tokë t’ zezë,
Ke qaj blini i Vizitorit … 645
E vrau Shkjau, he atê e vraftë Zoti !
Kur u bâ lùfta n’ Nokshiq.
Mjera un, moj Tringë, per tý !
E ktû lmekë âsht Zana e madhe,
Ftyrë per ftyrë ká rá mbí Tringen. 650
Orë e Zana at herë nji zani
Se të madhe ç’ kan piskatë !
Kä jehue bjeshka e Trojanit,
Maja e Hekrave e Vermoshi,
E ajo Mokra e Shekullarit. 655
Idhtë dý ulkojat zûn me ulrue,
Pika – pika lott tue u shkue.
Nalt prej shkamit zogu i verës
Cangull m’ tokë i vocrri rá:
Dhimet zêmra dýsh i u dá: 660
E rrmej gjak gurra prej akullit.
Ora e bardhë e bjeshkës s’ Trrojanit:
Dalë, e Mira, me do Motra
T’ veta mâje nji carani
T’ rryeshemm t’ bjeshkës, per me soditun 665
Si n’ Nokshiq lufta po vete:
Ká ndie vigmen e piskamen,
Trishtueshim kah Orë e Zana
Pingrue kan n’ bjeshkë t’ Vizitorit;
Edhè mirë atý âsht kujtue, 670
Se bel – holla, rritë nder molla,
Zana e Madhe e Vizitorit
Me ato tjerat flok – prarueme
Motra t’ veta, Shtouzovallet !
M’ shtek të vshtirë po ki’n takue. 675
Prande’ u thotë shoqeve t’ veta:
Besa, pra, morì ju Motra,
Njajo vigem e piskame,
Qi pingroi kah Vizitori,
Kish’ me thânë, se shêj hareje, 680
Manà, s’âsht, por shêj nji kobi
Të trishtueshem edhè fort.
S’ bâjm, tham, keq, kshtû tok si jemi,
Me kalue ‘i herë m’ Vizitor,
Per me pá, palè, ç’ká ndollë 685
E a i kem’ shndosh Motrat e atjeshme.
Edhè t’ mirat – raftu e mira !
Janë lshue ajrit plima – plima,
Tue rrahë flatrat e prarueme
Drejt prej bjeshket t’ Vizitorit. 690
Si m’ at bjeshkë vetimë janë kapun
Plantë ndê flatrat e prarume:
Si ato shqypet ktheterkuksa,
Kur me sý pingul prej s’ eperi
Shkojn tue lá çufra e zabele, 695
Per t’ rám pré ndonjâj shkrebeje:
Pezull ajrit zûnë të Bukrat
Me i ardhë çark bjeshkës s’ Vizitorit,
Pingul prirë rrezet e sýve,
Palè a kund po mund dallisin 700
Orë a Zanë. Kur qe se Orës s’ Madhe
Rrezja e sývet fíll po i shkueka
Mbí at rudinë, kû Shtozovallet
E bjeshkës s’ madhe t’ Vizitorit
Po ki’ n ndêjun rreth e rrotull 705
Trupit t’Tringës, idhshim tue e lvyrë,
Tue u lnurë flokësh, e Zana e Madhe
Pakë e lmekë mbí ftyrë të sajë,
Dnes e fshâj e shkrifu n’ váj;
Edhè zhgjetë t’ Bukurat e dheut 710
Pingul lshue janë m’at rudinë:
Në fllad t’ amel t’ fletvet t’ tyne,
Kah po dirgjeshin flaurí,
Ká ferfllue njaj gjethi i ahit.
E kur rá kan m’ at rudinë 715
E t’ kan pá Zanat tue kjá,
Tue dënesë, ftyrat tue u lvyrë,
E mbí Tringen ftyrë per ftyrë
Pakë e lmekë Zanen e Madhe:
Edhè fort, manà, të Mirat 720
Janë mjerue, janë pezmatue:
Rrkajë volísh lott u kan shkue.
Ora e Madhe e bjeshkës s’ Trojanit,
Ardhë si rrezja e nadjes s’ré,
Me nji hýll t’ shkelxyeshem m’ ballë, 725
Shllungës së flokvet, fijes s’ mndashit,
Per mbas shpinet dhânë suvalë:
Avra – avra edhè derdhë shtatit
Veshen bardh si bora shpatit,
Kur t’ i bjerë dielli kundruell : 730
Njeshë nen parzme me ‘i trîzë arit,
Kamben mbathë n’ ndalla t’ prarueme:
E si hana katermdheçe,
Në ndo ‘i mbrame t’ asajë vere
Qitun ballin, qêth argjani, 735
Permbí vetulla t’ ndo i’ Empirit
Nper mes t’ hyjvet bjen madhnueshim;
Rudinës s’ blerë, në lule shtrue,
Kshtû madhnueshim bjen e Mira, 740
Aq kaleças kamben matun
Per mbas gjethit të ndo í lili,
Udhës tue ndrrue, porsá m’ boçë lulet
Me i perkulë; edhè nji filli
Drejt ká shkue ke Zana e Madhe, 745
Kû, qitë duert asajë nen sjetulla,
Si perdhûni e çon më kambë:
E me t’ shmajten llanë eburne
Çark tue u ardhë lilave t’ njomë
T’ ijes s’ sajë, e mi dashtní 750
Tue e shternguem amel per parzme:
Ndersa e Bekuara me dorë tjeter,
Flokët, dredhë ballit edhè çenash,
Me shum máll po i a shestote
Per nen rezë, ká mârrë e i thotë, 755
Lott poshtë mollzash ka’ i rigojn:
Po ti, Moter … mos kështû !…
Qindro pak, he bujareshë !…
Se ti kshtû, manatì i Zotit,
Cok po e çueke vedin dam … 760
Mjaft tash mâ … të kjofsha true !
Lêne vaj’ n nji herë, se plase !
Zana e Madhe, kryet pështetun
M’ borë të gjallë t’ Motres trojane,
E tue dnesë, dhimshim tue fshâ, 765
Merr e i thotë me fjalë t’ këputuna:
Qyqja, Moter, se ç ‘ m’ká gjetë !
Se un mâ t’ gjalltë nuk kam shka e bâj !
Se mue Tringen m’ a kan vrá !
Se mue t’ rijt – o m’ a kan thá ! 770
Të dy sýt m’ i kan verbue !
Bjeshkë e vrrî m’ i kan shkrûmue !
Gurrë e prrue m’ i kan helmue !
As nuk kam pse t’ hî nder valle ! …
As nuk kam pse t’ bij nder zalle !… 775
Pse t’ kerkoj hije edhè mriza…
Pse t’ kerkoj gurra e çurrila…
T’ kerkoj lila e drandofille,
T’ ndjeki flutra neper shtoja,
Mollakuqe e xhixhilloja: 780
Të prigioj un zogjt bylbyla !
Kta per mue, Zot, u farojshin !
Kurr mos kndojshin ! mos vallzojshin !
Kurr mos dalët per mue prendverë,
Tash qi m’ vrán Tringen e mjerë, 785
Qi e kam dashtë si sý e ballit:
He mue m’ gjoftë moti per s’kthiellti !
Orë e Zana prap piskaten;
Prap ulkojat uluruen :
Bjeshkë e male larg ushtuen. 790
Ora e bardhë herë tue i a lmue
Me dorë ftyren, herë me rizë
Lott prej sývet tue i a terun
Se sa amel po i a kthen:
Po ti jo, moj rrezja e bardhë, 795
Moj shtatrrituna në mjaltë !
Se tý Tringa nuk t’ ká dekë:
Nuk t’ ká dekë, moj, pasha veren !
Pasha voesen, qi rigë Drita,
Kur vegon m’ at buzë të malit ! 800
Nuk t’ ká dekë, moj, por t’ ká lé
Sod per s’ dyti: se n’ Nokshiq
Shqyptarís i a la ajo nám !
Se kur sod nper buzë t’agimit
Krisi pushka në Nokshiq 805
E zû shkjau me djegë, me pjekë,
Me vrá gjind, e me rá pré
M’ dhên e dhí e m’ lopë e qé:
Si atij p’ rherë i a ká hjkë dera:
Cull e mullë, shka i kisht’ shpëtue, 810
U vû m’t’ hikun, e muer rreget
Rrezga – bjezga drejt Sutjesket,
E as rob nierit s’ mbet n’ Bajrak;
Veç se Tringa me t’ vëllán,
Me at Curr Ulen shtrî per dekë: 815
Shtrî per dekë kah nisë me hjekë.
Anë e kand visesh s’ Nokshiqit
Rrihte pushka kurr pa prâ:
Stane e tbana i’ n flakadâ:
N’ tym t’ agushtë qiella merthye, 820
Mos me u pá shoqi per brî:
Tue lurue shkina edhè shkjé,
Si lavë uqsh zijet në Shndrè,
Kah robitshin, kah plaçkitshin,
Pleq e cull e grá kah vritshin: 825
Me gjith kta kjo e bija e botës,
Tringe Ulja e Ulë Keqotës,
Vllaut, fisnikja, nuk u dá,
Dér qi sýt ktij mbyllë s’ i a ká. 830
E ká ndie si Shkjau po rrâte
Drejt kah tbani i sajë, kqyr ç’ bâni
Tringa at herë. Në kambë âsht çue,
Edhè atý, mbí vllá të dekun,
Ká zânë vasha ‘i bé të madhe: 835
Ká bâ Zotin – kjoftë levdue ! -
Gjallë Shkjaut n’ dorë se s’ do t’ i bijte,
Tatë e nanë se s’ do t’ koritte,
S’ do t’ koritte vllán per s’ dekuni,
Fisit marre s’ do t’ i l^te: 840
Edhè, kapë << huten >> e vllaut,
Fill n’ oborr vasha ká dalë.
E ká pá, nji Shkjá kryekcyem;
E ká pá, keq ká mendue,
Fort mâ keq desht me punue: 845
Me e çue rob per vedi n’ shpí.
Por, kur, qêni i biri qênit,
Ká marrë turrin me e robitë,
Sa shpejt Tringa atý i ndêj gati,
Edhé m’ << hutë >> po, sokolesha 850
Mu në parzme shkjaut i a njiti,
M’ rragam dekun edhe e qiti.
At herë shkjét Tringen kan vrá.
Nuk ké, Zânë, pra pse me kjá;
Se, manà, bija e malcores 855
Ká qindrue si t’ gjith fisniket:
Per të gjallë nuk u dá vllaut,
Gjallë në dorë nuk i rá shkjaut;
Edhè vedin ká pague
Si mâ i miri burrë n’ Malcí; 860
S’ká koritë as t’ parë as t’ mbramë:
Shqyptarís i a la ajo nám !
Ká me dalë kanga dikúr,
E kahdo qi shqypja t’ flitet
- Kjo e mashkulla giûhë hyjnísh – 865
Ká me u kndue nder burra t’ dheut
Per shka bâni e bija e botës
Tringe Ulja e Ulë Keqotës,
Kur pat krisë lufta n’ Nokshiq;
E dér rrezja shekllit t’ endet, 870
Emni i Tringës larg do t’permendet !
Shka i ká thânë, vall, Zana e Madhe:
T’paçim, Orë, sa gjith kto male !
Morì e mbrûmja me voesë qiellit,
Morì, e njeshmja me gjith lilit, 875
Mirë shartue me rreze t’ diellit:
Qi m’ a ké sýnin si hýll,
Qi m’ a çilë e qi m’ a mbyllë
Si ajo hâna neper pyllë:
Se mue shpirtin m’ a freskove, 880
Se mue zêmren m’ a balçmove
Me kto fjalë, moj, t’ u ngjatët jeta !
Moj pinjolla, vetull – holla.
Se, manà, tash kurrnji grimë
Un per Tringen s’po kam dhimë; 885
Ke ajo, lule në ket jetë,
Lule paska shkue n’ at jetë,
Edhè faqe t’ bardhë Malcís
Lânnë i paska, e ‘i nám Shqypnís.
Animâ, moj Bujareshë, 890
Tash ti Tringen me m’ a veshë,
Me m’ a veshë e me m’ a njeshë,
Me m’ a bâ gati per dhé;
Se, manà,zêmra s’ po m’ bân,
M’ i a veshë un pajen e dekës. 895
E kam dashtë, moj Ora e Madhe,
Si driten e sývet t’ mí !
Sá mirë Ora veshë e ká !
Sa e mirë Tringa atý m’ ká dá !
Zana e Madhe se ç’ ká kjá ! 900
Edhè ulkojat, manà t’ Zotit,
Rrijn e e kqyrin si per máll.
Mbasì veshë e ká e stolisë,
Si ato virgjnat e Malcís,
<< Ndjesen >> arit m’ varg florinit 905
M’fyt i a njet e bukura e dheut.
T’ dyja duert mandje mbí zêmer,
Njanen m’tjetren kryq, vendue
I a ká e Mira, e me ‘i parë rruza,
rreth per rreth tue u ardhë, i a lidhë: 910
Si Shqyptarve t’ dý mij vjetvet
Doke lânë u a kan të Parët.
Nderkaq Zana Shtatzarana,
Me at Shtrumoren e Vathnoren,
Vorrin n’ lila e drandofille 915
E kan shtrue. Si a bâne gati
Me e shtî n’ dhé, kjo Zana e Madhe
Po i bjen sypri, e puth e kjáj,
Dnes e fshâj e shkrifu n’ váj,
Fryma s’ mjeres n’ fyt ka’ i zêhet. 920
Por si Ora e bardhë trojane
Me shum múnd e ká shkepë soje
E per zêmer pshtetë po e mbate,
Orë e Zana Tringen pezull
Para duersh e çuen, kaleçes 925
Edhé m’ vorr e shtrîjn mbí lule
Drandofille. Zana e vogel,
Njajo Dardhamoskadele,
Tue dënesë, qyqja, e tue u lvyrë,
Shkon e merr zogun e veres 930
Dhimet dekë nen shkam rá i vocrri,
E e shtje n’ vorr me Tringen bashkë:
Qi per s’ gjalli aq fort, e mjera,
Dashtë m’ i kishte zogjt e veres !
Aty, Sýne, Lore, Loshe, 935
Mine, Mile, Mele, Groshe
Kapin rrasen prej mermerit
E e vendojn mbí llastra gurit
mrenda vorrit rreth per anë
Thikë ngujuemun. N’shêj t’Ores s’Madhe 940
Shpejt dý ulkojat i a kan hî
Mbí vorr dhén me sh6amë m’ capokë,
Qi edhè e bàne, rrash me tokë,
Ato vetë tue kjá, po, bishat.
Edhè qe se, sypri vorrit 945
At herë dheu pre’ ulkojash lshue,
vjen e vesht vedit n’ lule,
Lule t’ bardha, t’ bardha, t’bardha,
Mos me i prishë as zhegu as mardha.
Ora e Madhe e bjeshkës s’ Trojanit 950
Kur qe urdhnon ato sýgrizhat
Motra t’ veta: Bjeshkë e Borë,
Thrake, Dake, Vace, Grece,
Lali. Lice, Like, Dike
E sa jeni Motra t’ mija, 955
Shpejt n’ Trojan ju tash me m’ shkue
E me shkulë blinin e mrizit.
Kû mrizojn gjâja e Muç Hasit,
Edhé ktu ju me na prû
E t’ a ngulni m’ krye të vorrit 960
Le t’ na bâjë Tringës hije veres.
Sa shpejt Orët janë nisë e shkue,
Sa me t’ shpejtë ato janë kthye:
Sa veton dý herë me sý !
Edhè e prûn blinin e mrizit; 965
E me ‘i t’ mshâme Shtozovallet
E kan ngulë tre pash në dhé.
Se sa i madh – o blini ishte,
Sa të madhe hije kishte:
Me mrizue nja treqind dele ! 970
Kthelltë prej breshtet nji zog vere
Vjen fluitrim e zên mbí blî,
Kû, me ‘i zâ, si tue vajtue,
I a ká hî me vallëzue
Dhimet n’ zêmer me t’ pikllue. 975
Zana e Madhe, lott per faqe,
Merr e i thotë ksajë Orës s’ Trojanit:
Faqebardhë, Orë e Trojanit,
Faqebardha Motra t’ saja,
Qi m’ u gjetët n’ ket ditë t’ shemtueme; 980
Se, manà, kan kênë kah m’ losin
Dhimet t, zemers mendt e krés !
Veç ndigjoni, oj Orë e Zana,
Se me zanë due bét e mdhana:
Pasha rrezet qi lshon hana ! 985
Pasha voesen mbí ledina !
Pasha brej, aha e çetina !
E per mriza e qepariza !
E per gurra neper curra !
E per lila e per bylbyla ! 990
Pasha t’ rijt e pasha veren !
Mos e pritsha kurr prandveren !
E as mâ Zanë mos m’ thaçin mue,
Se un dér neser, pa marrë dielli,
S’ e lâ Tringen pa pague ! 995
Do t’ i marr, po, treqind krena;
Treqind shkjé rob kam me i zanun:
Trí mij çikë e nuse t’ reja:
Po, trí mij, moj, pasha Zotin !
Trí mij çika e nuse t’ reja 1000
Para kohës kam me i lânë t’ veja.
Me kjá ato, po, si gjith qyqet
Nper kasolla t’ Karadakut,
Si ato bubat pshtjellë në zí.
Se as e mjera kjo Shqypní 1005
Kurr tue pá s’ âsht dritë me sý,
Ke ksajë Shkjau, ndêjë orrl mbí krye,
Kurr të keqen s’m’ i a ká dá:
Vidh, robit, plaçkit, bje pré;
Këtu luej gúr e kufî, 1010
Atje vrà bulq e barí,
Veç pse bâjn hije mbí dhé !
Sod mâ teper vraja çikat,
Nderës e jetës kah zot me i dalun
Duen fisniket ! Mlidhu çetë, 1015
Dyndu ushtrí, ngref pushkë e top,
Edhè dil e bje n’ Shqypní,
Si me rá n’ tokë t’ Parvet t’ vet:
Thue se i Lumi Perendí
Per Shqyptarë Shqypnín s’e fali, 1020
Por per Shkjá. Medjè, mâ teper
Krajl e Mbret n’ kuvend bashkue
N’ at Berlin: jo per t’drejtue
A per t’ sjellë ndo’ i punë per s’ mari,
Se kta t’ maren kû m’a kan ?! 1025
Kta, qi, shpirtin jahudí,
Zêmren pus, rrênen kanû,
Besë e fé qitun mbas shpine,
S’ kqyrin erz, s’ kqyrin drejtsi:
E qi n’ luftë qesin me u grî, 1030
Ndermjet vedi djelmt e rí
P’e ‘i top basme per dimí !
Por se i cilli me ngopë barkun
Sa mâ ding me gjâ t’ mâ t’ ligshtit:
Si atà derrat n’ kallamoq: 1035
E rri e haju shoq me shoq,
Si ato kurvat n’ punë kopilash,
Veç per t’ hypë sho’it kaliboç
Edhè shpirtin ktij m’i a xjerrun
Per gazep, po: dorë i dhankan 1040
–He atà Zoti m’i marroftë ! –
Knjaz Nikollës me hî n’ Shqypnì,
Dér kû vendi me Drî:
Dér m’ kështjell të Rozafatit
N’at mollë Shkodre, m’krye t’ Shqypnís. 1045
Por nuk hîn, moj, êmni i Zotit !
Dér t’jét gjallë nji nip Kastrijotit;
Pse Shqyptarët as sod as motit
Sa me dhûnë, s’ ká mûjtë me i shtrue
Kurr i huej. Po, Mali i Zi 1050
Para hupë — e hupët !– se Knjazit
I bjen n’ dorë Shkodra mizore.
Un, po, vetë, un do t’ u a kalli
N’ zêmer burrave t’ Malcís
T’ hershem flakë të trimënís 1055
T’besës shqyptare e të burrnís;
E s’ lâ kurr e per ket jetë,
Pasha tokë e pasha dét !
Fjalen Krajlave pa u a thye :
Per pa e thy, per pa e poshtnue, 1060
Edhè Tringen pa e pague !
Të lumët goja, eh sokoleshë,
Merr e i thotë Ora trojane;
Se edhè mue me vedi m’ ké
Me sa Motra kam mbas vedi. 1065
Edhè t’ Mirat çue flauri,
Kan rrahë fletrat nper ajrí
E sa bredhë aj jehi i zanit,
I a kan behë mbí bjeshkë t’ Trojanit.
Zana e Madhe, at herë, rrfè 1070
Asht lshue ajrit tue flutrue,
Edhè behë ká m’ Kapë të Brojës.
Kur ká behë m’ at Kapë të Brojës
Se ç’ piskatë ká ajo të madhe !
Kan ushtue bjeshkë edhè male, 1075
Kan shungllue fushë edhè zalle.
E kan ndie burrat e dheut:
Atà Lekët e Malcís s’ Madhe,
Qi aq zanát luften m’a kinin:
E kan ndie, mirë janë kujtue, 1080
Se n’ Nokshiq ushtrija e jonë
Ajo ngusht po ká qillue;
Edhè trimat m’ kambë janë çue,
Kan njeshë armët, mirë janë shterngue,
E t’ kan marrë malin perpjetë 1085
Po fluturojn, thue ti, me fletë!
Mandej dalë ká m’ Bigë të Shalës.
Kur ká dalë m’ at Bigë të Shalës,
Sa të madhe atý piskati !
Ká shungllue marë Dukagjini. 1090
E kan ndie burrat e dheut,
Shalë e Shosh, Shllak e Temal,
Me Mertúr, Gjâj e Dushman,
Qi aq të fortë besen m’ a kan:
E kan ndie, mirë janë kujtue. 1095
Se n’ Nokshiq ushtrija e jonë
Ajo ngusht po ká qillue,
Edhè trimat m’ kambë janë çue,
Kan njeshë armët, mirë janë shterngue,
Malit thik na janë fillue 1100
Si lavë uqsh nper plajm e borë:
M’sý kapuçat, << hutat >> n’ dorë.
Edhè del m’ at Qafë të Diellit,
Se të madhe atý ç’ piskati ! 1105
Bjeshkë e vrrî se ç’ kan ushtue,
Ç’ kan ushtue ç’ kan shungullue !
E kan ndie Pejë e Gjakovë.
E kan ndie Rekë e Rrogovë:
E kan ndie, mirë janë kujtue, 1110
Se n’ Nokshiq ushtrija e jonë
Ngusht ajo po ká qillue;
E t’ kan msý Rekë e Rrogovë
E t’ kan rrâ Pejë e Gjakovë
T’ kan rrâ trimat m’armë shterngue. 1115
Sýnin gacë, zêmren agzot:
Lum per Tý, o i Lumi Zot !
Kund pa u ndalë, kund pa pushue:
Thue se krushq po janë tue shkue,
Per t’ marrë nuse nen duvak. 1120
Jo mâ krenash me u krekcue
Ballë per ballë me Karadak !
Kur, qe, nisë era me frý,
Zbardhë âsht deti prej tallazit,
Sa shpejt qiellin po e zîn rêja; 1125
Prej Rumije zê e veton,
Kah Cetina po gjimon.
Shum do t’ zâjë shiu e shtergata
Shum do t’ lshojë, tham, sheu e brraka.
Si mjerë kush të jét ngushtue 1130
Neser kâmbë ujë me kalue;
Se, manà, fort un po drue,
Se s’ do t’ mûjë aj me kalue !
Kulshedra
Lum e lum per t’ Madhin Zot!
Ç’ kà shkrfë sande gjith ky mot,
Gjith ky mot e kjo vetimë,
Gjith kjo gjàmë e bumbullimë,
Thue po shâmen qiell e dhè. 5
Kà lshue prrue, po, e kà lshue shè;
Rreh shtergata, shungullon era;
Ushtojn malet, me t’ hi mundera;
Kaq nji mot kà shkrefë n’ malci:
Shka do t’ jèt, vall, nuk e di. 10
M’ at Bigë t’ Shalës kà dalë Kulshedra,
Me shtatë krena e gjashtë parë kthetra,
E per krye kà ‘i sy në ballë,
Bishtin giatë, me i mrrijtë në zàll:
Qi, t’ u hjedhë e t’ u perdredhë, 15
Tue hingllue e tue turfullue,
Zjarm e surfull tue flakrue,
Krepa e gur tue rrokullue,
Dukagjinin don me shue,
Per nji dhûnë qi i bâka Shala: 20
Kur Dragoni Vocerr Bala,
Fmi tue kênë, n’ nji shpellë të malit
N’ gjumë e ndeshka, e ‘i sy prej ballit
Zjerrë i a paska me nji hû,
Kah i a ngulka dèr në trû. 25
Asht ndezë flakë T’ tanë Biga e Shalës
M’ zhuri t’ Lumit m’ maje t’ halës.
Mnderue gjindja prejksi nâmi,
Kah si kshtêja pelset shkâmi,
Jânë ngujue nder shpija e stane; 30
Hikë shkerbèt kanneper plane,
E nper pisha luron bisha
M’ at Gùr t’ Lekës e m’ kep t’ Parûnit,
Me ju dhimtë gurit e drûnit.
Kur Drangojt e Shqyptaris, 35
Si të fushës si të malcis,
Atà pàm e kan vetimen,
Edhè ndie kan bumbullimen.
Qi po ushtote Dukagjinit
Mbi Qafë t’ Diellit m’ valë të Drinit, 40
Mirë me vedi jânë kujtue,
Se Kulshedra atjè âsht diktue.
Ndonji mal per me rrenue;
Edh’ at herë, kûdo kan kênë,
N’ mal a n’ fushë, a turk a i kshtênë. 45
Atà çue jânë per ajri,
Me flamure kuq e zi,
E me lata e me supata
E me fuzhnji e dàna t’ giata:
Me veriga e rrfanë çelikut, 50
Hekra barkësh të Venedikut:
E nper rê e nper thellim
Mbi Bigë t’ Shalës kan rrâ fluturim,
Kû Kulshedra kishte dalë,
Nâm të zi tue bâ mbi Shalë. 55
Me u bindë dheu m’ tê dèr mâ s’ voni.
Prej Mirdite shkrefë Llesh Gjoni, i
Derës s’ Gjomarkaj, trim si Zâna,
Nji hyll n’ shêj nder Kapitana,
Qi as per pushkë as per pashi 60
Mâ nuk lèn, jo, shoqi i ti,
Kah shkrepë dielli m’Shqyptari.
Shoq me tê âsht Bibë Llesh Markola
Orrl i zi ky nder sokola:
Qi edhè kryet, po, me i a hjekë, 65
Drue p’ r ‘i javë s’ kishte me dekë.
Shkon prej Shkodret Ndrekë Heqimi,
Qi mâ i fortë nuk bâhet trimi:
Then <<mixhidin >> per mjedisi;
Edhè urtija i shkon per fis: 70
Qi prandej e zgiedhka Mbreti
Sylahçi m’ e pasë mbas veti.
Me tê shkojn do koleshâj,
Trima t’ çartun, katallâj:
Qaj Gjokë Kukli e Çapaliku, 75
Beqo Qoshja e Hamz Sadiku:
Burra t’ fort porsi çeliku,
Mos me i trêmë shpata as rreziku.
Mandej shkrefin nalt kah Peja,
Dy djelmoça, si dy rrfeja: 80
Rrustem Uka, pika e djalit:
Xhem sadrija, harushë malit,
Lè e rritun n’ at Rrogovë,
Djelm mâ t’ fortë s’ i kè n’ Kosovë,
As n’ Kosovë, as në Gjakovë: 85
Veç n’ Gjakovë n’ kjoftë Ton Golija,
Qi mârrë turrin si duhija,
Kaluer atit pullali,
Fill m’ Kulsheder aj kà msy,
Thue me dhâmë po do m’ e shkye. 90
Prap prej Shllakut lshon Gjetë Gega:
Faqja e tij kuq porsi shega:
Shllungë mustakun derdhë n’dy dega:
Kur nji fjalë po e folka burri,
Mâ s’ i luejtka me sa curri. 95
At herë Palç del qaj Prêl Tuli:
Msyn prej Kthellet Marka Kuli;
N’ Traboinë rrân Llesh Nkollë Luli;
Rrân Dodë Prêçi prej Kastratit:
Gjeto Marku flakon shpatit, 100
Porsi ajò flaka e barotit,
Kur t’ i nepet zjarm agzotit:
Zbardhë kà faqet gjithkund Hotit.
Del prej Shkrelit Marash Vata,
E si rêja me shtergata, 105
Msyn perpjetë drejt Dukagjinit,
Me at gjin Pjetrin e Kurbinit,
Qi per pushkë e per urti
E lanë nâm të dy n’ Shqypni.
Kta edhè u ndeshkan m’ Qafë të Boshit 110
Me Drangoj të Shalës e t’ Shoshit:
M’ at Mar lulen, trim bujàr:
M’ Gjelosh Kolen, kuvendtàr,
M’ Mehmet Shpendin. pushkatàr:
M’ Let Putanin e m’ Tol Canin, 115
Qi kaherë ja ki’ n fillue
Me Kulsheder me luftue:
Por per s’ largët veç tue e shinue,
Pse fort pak kishin qillue.
Si jânë mbledhë Drangojt m’ at qafë, 120
Kuvend bashkë nji herë kan rrafë,
Si me msy e tek me msy
Mandej çue jânë per ajri,
E ashtû çetë edhè flauri,
Tue shkrepë moti edhè vetima, 125
Tue krisë gjâma e bumbullima,
Tue vikatë, tue hallakatë,
Mbi kulsheder turr jânë lshue,
Kush me fuzhnje tue e shinue,
Kush me lata tue e shkallmue, 130
Kush me dàna tue e dermue;
Njani, rrah me hekra shpinës,
Tjetri, m’ spatë bjeri kaptinës,
Tash mbi tê lshou turra–turra;
Tash me shkrepa gjueje e curra: 135
I shkrefë gjaku porsi gurra.
Trandet Biga m’ at poterë:
Bân medet t’ tanë Shala e mjerë.
Fort âsht hjedhë Kulshedra at herë,
Fort âsht hjedhë, edhè perhjedhè; 140
Tash kuk trupin kà perdredhë,
Tash â lshue ‘iqind pash n’ ajri,
Herë, msyj vetë ajo n’ furi,
Herë, rri strukun neper shpella,
Edhè gjuej Drangojt m’ zhavella: 145
Lshoju flakë e zjarm prej goje,
Hidhu jargun hoje–hoje,
Nji ditë udhé me hikë larg soje,
Prej qelbsinet qi i del goje.
Kah me kthetra nep per ânë, 150
Hidhen krepat porsi rânë,
Flakrojn currat m’ Qafë t’ Bishkazit;
Ekah idhtë, në frymë t’ marazit,
T’ u perpushë, t’ u karrani,
Lshon e ngurrë bishtin n’ ajri, 155
Fishkllon ajri rreth mbi Bigë,
Vetë Drangojt me pasun frigë,
Po kje frigë se kà Drangoni.
Kuer, qe, turret qaj Llesh Gjoni,
Me ‘i parë dàna pash t’ giata, 160
E tue rrahë e shtergata,
Tue krisë gjâma e Bumbullima,
Neper dritë qi lshon vetima,
Msyn Kulsheders aj m’ i a kapë
Nja’ n fulqi. qi i pash kà hapë. 165
Mehmet Shpendin per t’ perpi,
Qi, m’ tê ‘i shkrep tue karrani,
Thue i paska njânen bri.
Kah e shef tue msy Kulshedra.
Ajo âsht tutë. e rrshânë mbi kthetra 170
Tuj u rrqasë, futet në shpellë,
Kû mrendë shtatin strukë kà kthellë,
Veç se krenat lânë kà jashtë,
Si ajo breshka per nên rrashtë,
Zjarm e surfull tue flakrue, 175
Ke bân lleshi me ju afrue.
Por nja as dy Lleshi s’ i a bâni,
Fulikare fill m’ tê rrâni:
Me t’ dy duert dánat kà hapë
E me to fulqi’ n i a kapë, 180
Sa kû mundet i a shterngon,
Si n’ menjêne i a ngurron:
Edhè e trandë aj turra–turra,
Tash tue i dhânë t’ shtymen nên curra
Tash prej vedit tue e terhjekë, 185
Herë n’ terthuer rrebtë tue perpjekë,
Veç si t’ mujë aj m’ e mahitun,
Jashta shpellet per m’ e qitun.
Se ç’ âsht hjedhë aty Kulshedra,
Se ç’ perpushë kà ajo me kthetra, 190
Ç’ kà hingllue me shtatë germaza,
M’ i u ndi vigma te Shperdhaza.
Ngurrue shtatit, bâ germuq,
Randë per tokë tue rà palmuq,
T’ u perplasë, t’ u kalamânë, 195
T’ u plandosë per gur e stênë,
Bân me i hapë dànat me kâmë,
Bân me brè dànat me dhàmë:
Por nuk brehen as s’ shperthehen,
Pse mirë mjeshtri i kà punue, 200
Pse mirë Lleshi i kà shterngue:
Mjerë kush mrendë u kà qillue!
Ngerthye Lleshi, bâ si grep,
Njânen kâmbë zatetë p’ r ”i shkrep,
Djersa rrkajë tue i shkue per ballë, 205
Tue kercnue me dhâmë e tmallë,
Rrin e t’ hjekë aj m’ nja prej vedit,
T’ hjekë Kulshedra edhè prej vedit.
Njani t’ hiq—tjetri terhiq:
Lleshi ngrif—Kulshedra ngrif. 210
Aj: t’ a zjerri jashta shkrepit;
Kjo: të strukem mrenda shkrepit,
Të pështoj prej ktij gazepit.
Kur, qe, Lleshi po permlidhet,
Po permlidhet, po perdridhet, 215
Po perdridhet tue ngrefë m’ dana,
Me ato duer e me ato llana,
Si të shkrime prej çelikut,
Kû per t’ giatë të trashë kerrçikut
I jânë ngrefë dejt toje–toje, 220
Edhè shkûmë tue qitë per goje:
Shkûmë e gjak, ofshè! perzi
I nep shtatit me furi,
Edhè ngrefë kaq me fuqi,
Qi i âsht shkulë shkrepi per nen kâmë 225
E i jânë thye në gojë dy dhâme,
Edhè ‘i pash, rrs`ânë tuj e ngrefun,
Zier Kulshedren nên gùr mshefun.
At herë mbrapa kthen nji hap,
Edhè shtatit i nep prap, 230
E dy pash, po , dy pash t’ mirë
Prap mâ jashtë Kulshedren zier.
Kshtû tue i dhânë pêsë herë a gjashtë,
Zier per gjymsë Kulshedren jashtë.
At herë t’ madhe, sa i mûjt zâni, 235
Briti shokve Kapitani:
Ushtoi ashta lak e m’ lak,
Trêmë Kulshedra, pshurri gjak,
Me blue ‘i ditë nji gùr mullini:
Bini, mêca, bre! Ku jini? 240
Se Kulshedren jashtë e kini.
Ah! kû jè, bre Rrustem Uka?
Të vraftë Zoti e të vraftë buka,
Ke s’ po ndihe gjallë kund sande…
Dili, para, eh kopilane! 245
Edhè shtypja, n’ mujsh, ndo ‘i krye;
Se, per Zotin ! âsht tue m’ shkye,
Bâni ajo dànash me m’ pshtue.
Shpejt Drangojt per ajr janë çue,
Zhgjetë m’ Kulsheder, dhe, jânë lshue: 250
Njani para rri e ndersyj,
Tjetri sypri mêrr e msyj:
Para e sypri, e ânë m’ ânë,
Gjithsi kuej âsht tuj i u dhânë.
Rrustem Uka, trimi i trimit, 255
Nper krisme e flakë t’ thellimit
Shi nên frymë asa’ i âsht fuer,
E rrokë shpaten me dy duer,
Njanit krye me tê i kà rà.
Shperthiqë synin ‘dhe i a kà, 260
Rrashten krejt por s’ mujt m’ i a çà.
Vjen m’ shpinë t’ atit Ton Golija,
E tue krisun si duhija,
Trandë topuzin, njiqind okë,
I a flakron po shi m’ at kokë, 265
Edhè pshesh i a derdhë per tokë.
Po i shtrengohet Let Putani,
Edhè dyndë nji bet carani,
Njizet vetë, po, mos m’ e luejtun,
E me tê, sa kû kà mujtun, 270
siell m’ Kulsheder me furi
Shi m’ kurriz m’ i a karrani.
Ungron shtâsa me mëni,
Edhè krejt aty terbohet;
Hidhet, trandet, lamsh kukzohet, 275
Qafen krrabë e kà ngerthye,
Kah bân Lleshin per me msy,
E s’ kà para si me u shty,
Pse mirë Lleshi e kà merthye.
Xhem Sadrija, ‘i trim rrfè, 280
Ktij Gjet Geges po i lshon bè:
Pàsh njat Zot, qi të kà dhânë,
Deli, Gjeto, n’ mûjsh, m’ at ânë,
Edhè nzite m’ patershânë,
Tuj i a ngulë m’ ndonjâ’ n germaz; 285
Pse un ktej gati m’ shaterkaz
Po t’ i rri ktej mbrapa shpinës,
N’ mûjsha í herë me i rà kaptinës.
Edhè trût m’ i a derdhë per tokë.
Gjeto Gega shpejt kà rrokë 290
Heshten, trashë sa ‘i << mashkull >> qerrit,
Edhè shi rrânzë njâj kapzherrit
I a kà ngulë, po, nja tri pllamë.
Bân kulshedra me u çue m’ kâmë,
Bân me u rrqasun vithambrapa, 295
Per me u strukë mâ kthelltë nder karpa;
Por, pse Lleshi e kà shterngue
Me ato dàna, si i terbue,
Palmuç m’parsme ajo âsht rrxue,
Edhè qafa i âsht ngerthye, 300
( kah fulqijsh ishte merthye,)
Arrçi i qafës, i edhè, i âsht thye,
Krejt fulqini asa’ i âsht shkye
E i âsht shkepë deri m’gerglâc.
Vjerrë nder dàna,si letrâc. 305
Veç shka? çena ka’ i kà plasë,
Hov si lleshi qi kisht’ pasë
vithambrapa aj âsht rrqasë
Nja ‘iqind pash, po, mos mâ teper,
Dér qi ndashë kà m’ nji stom t’ eper. 310
shkapullue dànash kulshedra,
Tue perpushë nper gur me kthetra,
Kà nisë t’ hajë shtatin në shpellë,
T’ u perdi gryket m6a kthellë.
Bini, burra! mos e lshoni! 315
Po piskatë prap qaj Llesh Gjoni,
Edhè turr e lshon m’ tê vrapin,
Ka dy pash tue mârrun hapin,
E si t’ kisht’ dànat nder duer,
Me to siell aj si n’ t’ terthuer, 320
Edhè i mêrr njânen kaptinë,
Tue i a kputé rrumull me shpinë.
Se ç’ jânë lshue Drangojt at hera,
Se ç’ kà krisë zhurma e potera,
Fort njerzis i kà hypë mndera, 325
Kah me lata e me supata,
Kah me shkrepa edhè me grepa,
E me dàna patershâna,
E me fuzhnje e me terfurq
Rrâjn n’ kulsheder t’ kshtênë e turq: 330
Tuj e msy e tue ndersy,
Tue shinue e tue e shkallmue,
Njâni sypri tue i flutrue,
Tjetri m’ ânesh tue e pershkue,
T’ gjith njiheri tue e dermue 335
Me ato lata e fuzhnje t’ giata.
T’ i dha era edhè shtergata;
Flakë per flakë t’ i a dha vetima,
Krisi gjâma e bumbullima,
Shungulloi malit ushtima: 340
Hypi tym e hypi njegull,
Biga e Shalës likundet shrregull.
Trêmë kulshedra, âsht futë në shpellë
Kû là n’ gjak e randë t’ u sjellë,
Tuj u zmbrapë barkas mâ kthellë. 345
Herë t’ u rrqasun kamandoras,
Lshohet shul teposhtë rrmores:
E si rreshmja me zhumbùr,
Tue rrmye gùr e tue rrmye zhùr,
Kulihum shêmet n’ liqê, 350
Mbrenda Bigës dyndun kurrnê,
Kthelltë kah zhytet trupi i sajë:
Trandë âsht toka dèr në Rajë.
Xhem Sadrija, mushë n’ maraz,
Ke me i rà s’ mûjt m’ shaterkaz, 355
Kah i u shkye m’ dàna fulqîni,
Fill mbas sajë në shpellë aj hini
Edhè u shty mbrendë bukur kthellë,
Por me sjellë m’ tê, s’ mûjt me sjellë;
Pse kisht’kênë vendi humnere, 360
E kulshedra u zhduk me ‘i here.
Shpejt Drangojt aty janë çue,
Edhè çetë atà kan shkue,
Si ki’n kênë t’ gjith pika e djalit:
E kan çkputë nji buzë prej malit, 365
Edhè shpellës i a kan vû n’grykë,
Tuj i a rrasë mbrendë porsi pykë,
Qi per jetë mos t’ mûjë Kulshedra
M’ e dermue me kâmbë e kthetra.
Dukagjinin per t’ damtue; 370
Mandej ulë janë me pushue.
E at herë rêt janë davaritë,
Kà nisë hâna n’ qiell me shndritë.
Ora e Shalës, eh shtoi, Zo’, vallet!
Dalë e ndêjë m’ nji vetull mali, 375
Atjè nalt dikû mbi Nicaj,
Ajo luften pà e paska,
Qi Drangojt bânë me Kulshedren,
M’ at kapë t’ Bigës mbi atà thepa:
Edh’ e mira fort âsht gzue, 380
Kur kà pà e kà kundrue,
Se Drangojt e Shqyptaris
Keq shemtuem e kan Kulshedren:
Se tri krena i kan gjymtue:
Se ‘i germaz i a kan shporue; 385
Shtatit krejt se e kan shkallmue
E se n’ shpellë e kan ngujue,
Tue i zânë gryken me ‘i buzë malit,
mos me mûjtë mâ per s’ t’ gjallit
Me damtuemun Dukagjinin. 390
E kur pà kà ajo me sy,
Se jânë ulë burrat e dheut,
Per t’ pushuem e biseduem,
Tuj u prrallë njani me tjetrin,
Per shka psue kishin m’ at natë, 395
Tri herë rresht zên e piskatë:
Ndihet vigma m’ Qafë t’ Morinës:
Kan ndie Orët e Dukagjinit,
Neper shpella, kû ishin strukun
Prej gazepi t’ asajë natë; 400
Edhè çohen per ajri,
Xhixha–xhixha tue xhixhllue
E i a befin te Ora e Shalës,
Motra e mashe e Dukagjinit.
Kà marrë Ora edhè u kà thânë: 405
A thue e dini a por s’ e dini,
Se Drangojt e Shqyptaris:
Atà i paçim, Zot! me jetë:
E kan thye sande Kulshedren
Tue luftue m’ at Bigë të Gimaj, 410
Edhè n’ shpellë e kan mutue
Me nji shpat shkepun prej malit,
Mos me mûjtë me pshtue per s’ gjallit.
Veç se shka? ofshe un e mjera!
Atà darkë sande s’ kan ngrânë; 415
Para darkësh pse aty kan rrânë,
E as s’ i kan nuset e veta,
Qi aty buken m’u a gatue,
Edhe tryezen me u a shtrue,
M’ kambë me u ndêjë gati me ujë. 420
Ani prà, mori ju motra,
Shpejt m’ u a ndreqë darken Drangojve:
Shpejt me korrë grunin nder ara,
Mirë m’ e shi e mirë m’ e blue,
Mirë m’ e njeshë, mirë m’ e gatue: 425
Me dalë n’ bjeshkë me mjelun sutat,
Me gjetë mjalten neper zgavrra,
E me zânë dy drêj të mâjmë,
Me u a pjekë ferlikë në hèll.
Kshtû kà folë kjo Ora e Shalës; 430
Edhè Orët e Dukagjinit
Jânë bâ Xhixha e zhdukë n’ vetimë.
Veç sa ‘i herë vjen vallja rrotull.
Aty prap ato kan kthye:
Njana, buken permbi krye; 435
Tjetra, mjelcen per nên dorë,
Mjelca bâ me lvore blinit;
Dikush bjen fashoje mjeltet;
Tjerat, m’ hej vendue terthuer,
Bàjn mbi krah dy drêj të mâjm, 440
Ora e Shalës si u kishte thânun,
Qi me pjekë ferlikë në hèll.
E si t’ tana janë bashkue.
Fluturim ato jânë çue,
Veshun bardh e flokët zhvillue, 445
Edhè befë kan m’ mâje t’ Bigës,
Kû Drangojt po kuvendojshin.
Ora e Shalës, at herë, u â avitun,
Qi edhè u thotë me t’ amel zâ:
Mirë se u gjêjë, burra të dheut! 450
Mirë se vjen e bukura e dheut!
Mirë se vjen, e kah të kemi?
Ka’ u kè pri ktyne fisnikve?
Po i pergjegjë Kapitan Lleshi.
Se, mana’, ty t’ u ngjatët jeta! 455
Un jam vetë ajo Ora e Shalës:
Moter un me at Orë t’ Merditës,
Qi veron mbi bjeshkë t’ Mundelles,
Si ajo drita tuj ague:
Kto janë Orët e Dukagjinit, 460
E kem’ dalë m’ ket maje bjeshke,
Per me u pà, me u njoftë me jue;
Se zâ t’ madh per jue kem’ ndie,
Se edhè e làt sande ju nàm,
Tuj e thye në luftë Kulshedren, 465
Qi me shue desht Dukagjinin.
Jo qi lodhë, un thom, do t’ jini,
Se edhë darkë ju ngrânë s’ do t’ kini:
E ktû, po, âsht nji bjeshkë e naltë,
Të tanë gùr e shkam i gjallë, 470
Kû s’ gjên nieri shka me ngrânë:
Pse as s’ i kini nust t’ueja,
Qi jue darken me u a ndrequn.
E prandej na Orët e Maleve
Darken jue u a kem’ gatue: 475
Kû me vedi u a kem’ prû:
Kur t’ urdhnoni me u rreshtue.
Edhè trimat rreth janë vû.
Nja mbas njâ’ i e rend mbas rendit,
Me Llesh Gjonin m’ krye të vendit: 480
Asht Gjomarkajsh e i bje prija
Derë mâ t’ vjeter s’ kà Shqypnija.
At herë Orët u kan sjellë buken;
U kan vû ferlikët perpara,
E u kan prû mjelcat me kjumshtë: 485
Kjumshtë me borë, dhâmin me t’ pi:
Edhè mjaltë, sà kush kà dashtë:
Mâ e mirë darka s” ndreqet n’ ashtë.
Gurren nget kishin per bri,
Gurrë si aklli e e kjartë florî, 490
Sa kush dote aty me pi.
Mbasi bukë trimat kan ngrânë,
Jânë çue prap e dalë m’ njâ’ n ânë
E po rrin tue bisedue
Me njat t’ bukuren Oré të Shalës, 495
Per kanû e pûnë urtije,
E per besë e per pûnë t’ mikut,
E per lufta qi u bânë motit:
Per trimni të Gjergj Kastriotit:
Per Drangoj e per Kulshedra: 500
Per <<breshana>> e per gopedra
Edhè folen mbi liri,
Mbi liri e mbi Shqypni:
Si Shqypnija do t’ dalë m’ vedi,
Mos m’e urdhnue mâ as Krajli as Mbreti,505
Me kânë zojë ajo m’ vedvedi,
Ashtû Zoti si e kà shkrue,
Qatjè vonë zên Ora e Shalës
E po u thotë shoqeve t” veta:
Hajdni, varza, me u njitë valle, 510
Edhè ‘i kangë ju me e këndue,
Sa po âsht Drita ende pà dalë:
Pse Dragojve u pelqen kanga.
Jânë çue Orët e Dukagjinit,
Me ato petka bardh si bora. 515
E jânë kapun dora–dora,
Shpervjelë mangët mbi cep të krahit.
Flokët dèr m’ kâmë zhvillue giatë shtatit,
Me kunora lulesh m’ krye
me ato kâmbë kaleçë tue kcye, 520
Dà dy lagjesh ballë per ballë,
E tue kndue ato palé e palé,
Kan pri vallen kshtû per mallë:
Varza kà e varza s’ kà;
Por, si kà nji vajzë n’ Janinë, 525
Kurkund shoqen s’ i a kè pà,
Kah bje diell e serotinë:
synin diell, ballin si hâna,
Ardhun shtatit si silvija.
Eufrozinë e quejti nâna, 530
Augur t’ mirë m’ e pasë Shqypnija.
Atê e pâtka aj Ali Pasha,
Dalë si vida në balkue,
Edhè fort pelqye i âsht vasha:
Çon Harapin m’ e kerkue. 535
Vjen Harapi e i thotë te dera:
Shpejt tash, vashë, ti ktû me zdrypun
E me mue me ardhë nji hera;
Persè Pasha të kà lypun.
T’ u thafët goja! shka po thue? 540
I a kthen vasha fjalen maré;
Se un nji vajz–o kam qillue:
S’ diej me folë me Pashallarë,
Jo, po, Ali pashë Tepelena
Mundet kryet aj me m’ a prè, 545
si i kà prè kushdi sà krena;
Gjallë por s’ lshoj un erz as fè.
Asht mushë Pasha me mëni,
Prap harapin çon e e thrret:
Pa ndigio harap i zi, 550
Se dy herë Pasha nuk flet:
A se vjen ktû sande goca,
A se ndryshe n’ fund t’ liqênit
T’ a bâj gjumin me bretkoca.
More vesht, bre qên i qênit? 555
I shkon naten vashës harapi,
Edhè e mêrr e e çon m’ liqê,
Kû tue pritun ishte trapi,
Per me i bartë neper kurrnê.
N’ mes të liqênit si kan dalë, 560
Aty trapi vend kà zânun,
Edhè nisë harapi fjalë,
Nisë aj vashës kështû me i thânun:
Nuk kà tjeter, tash, lum vasha:
E s’ jam nieri fjalës qi i luej: 565
A me shkue sande te Pasha:
A shi ktû me t’ mytë ty n’ ujë.
Jo, po, i thotë vasha tue qeshé,
Se un te Pasha due me shkue;
Por due t’ shkoj nji herë me u veshë, 570
Pse sido ktû kam qillue.
E kështû tue i thânë harapit,
Atij qênit, t’ birit t’ qênit,
Mêrr e hidhet n’ ujë prej trapit,
Edhé zhduket n’ fund t’ liqênit. 575
Doli fjala neper dhè:
Njekso varzash kà n’ Shqypni,
Qi per erz edhè per fè
T’ rijt e jeten i bâjn fli.
Kshtû këndojn Orët palë e palë 580
Por, tue mârrë té mbramen fjalë,
Hylli i dritës nisi me dalë
E buzës s’ malit drita agoi,
At herë Orë edhè Drangoj
U çuen m’ajr t’ gjith plima–plima, 585
Edhè u zhduken si vetima,
Tuj u gjetë aty nji filli,
Kû me u gjetë deshti se i cilli.