Te Akuzoj
Të gjitha veset që djalli shpiku
I bëre pronë të shpirtit tënd
As ferri i Dantes që shkoi dhe iku
Për Enver Hoxhën s‘do kishte vënd!
As vetë s‘e di se ç‘ Kod Penal
Kish për t‘a dhënë dënimin hak.
Ti pjellë katile nga kishe dalë?
Që nuk u ngope një herë me gjak!
Ti arrestove Lirinë e Kombit!
Prishe faltoret e Perëndisë!
Nuk e marr vesht nga ç‘anë e globit
I ré mallkim ti Shqipërisë?!….
Ti që ja morre nderin shqiptarit
Ti që ia zhduke vlerat që kish
Ti që mban emrin e kryetradhtarit
Ti që Sërbia të pat kulish......
Ti i pabesi midis çakenjve
Ti frikacaku, mjeshtër – mashtrus
Ti amorali midis shkërdhenjve
Në cilin rreth vallë të të fus?
Krimet e tua nuk numërohen
Ti që i vrave muzën poetit(!)
Eshtrat e tua tokës i rëndohen
Ti diktatori i antishtetit!
Ti që ia shterre trurin Diturisë!
Ti që shfarose e s‘tu dridh dora!
Ti që ia nxive jetën Shqipërisë
Kafka dhe eshtrat të zënçin morra!
Ti që e vrave qetsinë e natës
Ti që gjithë shokët çove në varr
Ti kryedylberi i rrugëve të Francës
Cila hienë të polli vallë!?…
Ti na rrethove me tel gjëmba
Me lukuninë që të erdh‘ pas!
Ti që shkaktove vargmal me dhëmba
Në çfarë gjirizi vallë të përplas!
Persekutove në pesdhjetë vite
Sa vrer, sa helm në zemrat tona
Ti dashurinë n‘mes njerzve fike!
Ti ishe zgjebja, ti ishe krroma!
Ndaj të mallkuan gjithë nënat tona
„Të humbtë emri o Enver bisha!“
të zuri nëma o Enver Hoxha!
Ti që shkatrrove xhamì dhe kisha!
Ti që e vrave me thikë mbas shpine
Fishtën, Konitcën, vetë Historinë!
Ti serbo – sllavi me brumë prej Kine
Të humbtë varri me gjithë Partinë!
Të akuzojnë me mijra varre!
Të akuzojnë Nënat kërcure!
Të akuzojnë burrat që vrave!
Të akuzojnë mijra qivure!
Të akuzojnë lotët e fëmijëve!
Të akuzon mjerimi tipik!
I pamëshirshëm në ç’hithra mbive?
Klysh i Stalinit, pleh bolshevik!
Të akuzojnë bijt edhe bijat
Që thyen prangat me 2 korrik!
Gjithë Shqipërisë i dolën thinjat
Kur nënat klithnin: - Ik!! Vetëm ik!!
U nëpërkëmbëm, u hoqëm zvarrë
Nè, nip-stërnipat e Ilirisë!
U lemeris Evropa mbarë
Nga shtetbunkeri i Shqipërisë!
Të akuzoj në emër të të rënëve
Që rrokën pushkët e dolën Malit!
Që u zhgënjyen nga Stani i Qenëve!
Dhe i falën Jetën veç Idealit!
Çuditet Bota, dhe gjithë njerëzia
Si mbijetuan vallë shqipëtarët??….
Por jo or jo! S’vdes shqiptarija
Ndonse katili, na humbi varrët!
Pa do të ngrihej një ditë urrejtja
E do t’i mblidhte populli rrufetë!
Që komunizmit t’i vinte vdekja
Në skenë të vihej ky Akti i Tretë!
Aktin e Parë të Dymbëshjetës
Vetë e rrënuam nè shqipëtarët(!)
Aktin e dytë të dyzetekatrës
E asgjësuan tok, tradhëtarët!
Por Akti i Tretë thirri në skenë
Një REGJISOR që bën epoka!
U ngrit një popull, u kish bër’ Benë!
Dhe u rrëshqiti nën këmbë toka!
Erdhi kjo ditë ndoshta me dhëmbje
Sot Shqipëria ndrron mish e lëkurë
U befasuan deri në çmëndje
Prap ëndërrojnë për diktaturë(!!)
Por jo ore jo! Shkoj edhe vate
Koha e Turpit! Kohë e Partisë!
Vijmë të hutuar si mbas një Nate
T’i japim fund të gjith’ Tragjedisë!
Le të na rrahi era e dimrit
Le t’i kërcasin brinjët vatanit
Demokracinë KOHA e thirri
Në udhë të ZOTIT jo të shejtanit!
Parodi e Pleshtit
Pleshtit nuk i vjen mërzi.
A je qen, apo njeri
A e ke leshin t’ bardhe a t’ zi,
Frrup...gjen vend për mrekulli.
Ndonse kruhesh pa ja nda
Gjithsekush një plesht e ka!
Bile thonë se rraca e pleshtit
Mbijeton vetëm prej leshit.
Kam ndigju se ka do pleshta
Që zen rrushi nepër vreshta
Ka dhe pleshta nepër lopë
Pleshta plehu në çdo gropë.
Unë ksaj here kam mendu
Për do pleshta të tjerë me shkru
Për këtë rracë tejet mizore
Që bezdisë rracën njerzore!
Askërkush nuk dëshiron
Ta ketë pleshtin nepër shtat
Sepse pleshti frekuenton
Në veçanti leshin e gjatë.
Ndaj dhe rruhen mbahen pastër
Mos me e rritë leshin ma shum’
Sepse pleshti s’mban me hater
Je në qytet, a je në katund.
Me i ra shkurt pra miqt e mij
Po u tregoj një histori
Që i ka ndodhe pleshtit qyqar
Tuj shetit kombin shqiptar.
Pra ky plesht kishte ndigju
Se në Ballkan, qefli me u kru
Janë shqiptaret në troje të veta
Që për lesh s’u dhimbset jeta!
…Filloj pleshti punë për s’mbarit
Me zgjedhë leshin ndër shqiptarë
Iu fut mjekrës së Kryetarit
Mjekërkuqit, lesh pa larë!
Por nuk mundi të qëndronte
As një dite në mjekër të tij
Sepse leshi kundërmonte
Wischy, brandy dhe raki!
Ku të futej pleshti i ngratë!?
Lesh të dredhun kanë dhe gratë.
Ndaj u fut në Qeveri
Që t’a zgjidhë hallin e tij!?
Sallë luksoze, e mikrofon
Kryeministër kokë bidon
Por pranë tij një leshraverdhë
Floku i saj, me dorë ish dredhë.
Ah! - tha pleshti,- të qofsha falë
Se prej teje s’kam me dalë!
Dhe u fut në mes të shalëve
Që ma mirë t’u ruhej fjalëve!
Frrup! Frrup! Frrup mezi arriti
Iu ngroh zemra, iu ngroh shpirti!
çfarë arome, oh ç’ deodorant!
S’kishte lesh !… interesant!?…
Pleshti ndenji diversant !!!!
Aj soj vendit i preferuar
Për dreq leshin e kish rruar!
Ndaj dhe Pleshti mbet i habitur
Që ai vend, s’kish lesh të rritur!
Ban vaki,- mendoj i shkreti,
Ndoshta këto… i ka pushteti!
Dhe e zuri pa e kuptuar
Gjumi i embël, në lesh të rruar!
Pa kaluar as gjysëm e natës
Sheh një endërr i turbulluar
Që leshverdhës, oh të ngratës
I vjen mjekrra lesh pa rruar…
I del gjumi plesht fatziut
Dhe gjen vehten për çudi
M’u tek mjekrra e njeriut
Wischy, Brandy e Raki!
Dreq o punë, - tha, - po këtu isha
Ndaj kërkova transferim!
Vërtet leshin nuk e kisha!
Ama kisha Qeverin!
S’e kuptonte plesht hajvani
Se ku ishte në fakt sekreti!
Për një plesht digjet jorgani
Rruhet leshi, e jo Pushteti!
Ndaj ky plesht qe u zhgenjye
Dhe kujtoj se gjet xhehnetin.
Nga kish ardhur na u kthye
S’kruhej dot…ai me Pushtetin!
Zot i Madh
Zot i madh gjithmonë t'jam lutë
Se i jemi po m'a futë!
Unë që t' lutem jam shqiptarë.
A ke kohë pak, me ma varë.
Tek ky Glob që rrotullohet
Asht dhe toka e shqiptarve.
Zot, pash nderin a t'kujtohet?!
Ku i kam trojet e t'parëve?
Se jam komb nën 5 flamurë.
Komb që han mishin e vet.
Komb që vdes për diktaturë!
Trim, hajdut, dinsëz milet.
Për inatë të mullixhiut
Shkoj e flejë me vjehrrën tande.
Jam me tru të sherraxhiut
Që ngacmoj grenzat me krande.
Fol pra Zot! Ma zgjat pak dorën!
Më thotë bota:- qen bir qeni!
'Ej shqiptar, shko pyete Vlorën!
Brenda vehtes dreqin keni!
Ke kulturë, por shkolla dogje!
Ke flori, por je zhelan!
Veç kur flenë s'merresh me llogje.
Vet me vehte del n'mejdan!
Ti që mbrojte Krishtërimin.
Ti që Fé ndrrove tre herë.
Ti që Babë bëre Stalinin.
A ke besë? Atdhe e Nderë?
Zëri i Zotit bubulloj.
Tundi kodër, fushë e male.
Pyes vehten dhe mendoj
A kanë fund o Zot k'to halle?
Kam n' Flamur zog me dy krena
Një zog-monstër, shenj Sllavije.
Prej aty merr cakun rrena
Bash aty vjen erë tradhtije!
Fluturo shqiptar drejt qiellit.
Çaj hapsirat anë e mbanë!
Galaktikat mbrapa diellit,
Me dy krena shqipe s'kanë!
Ku e gjete atë farë simboli?
Që Flamuri jonë e mban?
Me dy krena kush e polli?
Katolik e mysliman!
Nji Kosovë. Tjetra Shqypni
Njëra plagë e tjetra kockë.
Me dy krena kuq e zi.
Njëra Gegë e tjetra Toskë
Eh mallku qoftë kush e shpiku
Me coptu vehten me dy.
500 vjet Turkia të fiku
500 vjet brinjët t'ka thy!
Gjer' në Jemen shkove ushtarë
Tokën tande e le në zor.
Shkodra s'kishte buk me hangër
Ti në Bejrut, guvernator!
Si do e bëje Nënë Shqiprinë?
Ti që s'njeh as Ligj as Shtet!
Kur të vdiqën jashtë Atdheut
Burrat me cironka n' xhep!
Je i vetmi komb me huqe.
Që s'e don kulmin e shpisë.
Popull - Dem, që bojën e kuqe
Shkon ia merr uha komshisë.
Sot që rrugët e Evropës
Me gjak tandin i ke hapë.
Prap drejtohesh prej eskortës
Që vjedh Ditë e që vjedh Natë!
Mos pash gjakun e martirëve!
Mos pash hatrin e lirisë!
Mos ia prish të ardhmen fëmijve!
Mos ia hap vorrin Shqypnisë!